PIKANTE| Flamurtari-Skënderbeu/ “O anësor do ndonjë palë gjyzlykë”, Idrizi kërkon kafe turke në tribunë. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2020 | 22:41

PIKANTE| Flamurtari-Skënderbeu/ “O anësor do ndonjë palë gjyzlykë”, Idrizi kërkon kafe turke në tribunë. Ja çfarë nuk u pa në TV

– 30 minuta para ndeshjes, polica ishte rreshtuar para stadiumit aq sa u duk sikur po luhej ndonjë ndeshje finale. Pasi morën udhëzimet, uniformat blu u shpërndanë.
01
– Delegati Bujar Pregja u kujdes që para ndeshjes të ruhej distancimi dhe shpesh tërhoqi vëmendje në tribunë.

– Sinan Idrizi hyn në stadium me Artim Pollozhanin. Për të ngacmuar mbrojtësin që nuk luante prej kartonëve, Sinan Idrizi ka hedhur një batutë duke shfrytëzuar prezencën e gazetarëve: “Ne e kemi më të bukur stemën te maska, apo jo? E kemi super”. Më vonë e ngacmon edhe trajnerin Ilir Daja, teksa ky i fundit do të futej në tunel: “Ore hajde këtu ti te ne, ç’do aty”. Ndërkaq Daja ia kthen: “Ja, keni Pollon”. Ndërkohë, Pollozhani ishte pranë pankinës vlonjate.

– Administratori Sinan Idrizi kërkon kafe turke sapo ulet në tribunë. “Sillni kafe turke. E dua të mesme”.

Takaj Idrizi

– 10 minuta para ndeshjes presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, hipën në tribunën qendrore. Ai takohet përzemërsisht me administratorin Idrizi.

– Në minutën e 2-të, kryesori Laver Alla pengohet, por shpëton pa rënë në tokë. Humb ekuilibrin, por çohet shpejt dhe e kalon me sportivitet.

– Në fillim të ndeshjes, kur Ardit Hoxhaj kërcënonte portën e Skënderbeut, Ilir Daja dëgjohet të thotë: “Bruno 3-4”. Pasi largohet rreziku, trajneri mik qetësohet: “Ajo është, ruajmë linjat. Bëjmë lojë të ndërmjetme”. Në vijim tekniku i Skënderbeut kërkon nga lojtarët të punojnë nga krahët e pastaj të fillojnë manovrën.

– Eqerem Memushi dhe Rrapo Taho ngjiten bashkë në tribunën qendrore. Më pas ulen të distancuar nga njëri-tjetri. Bashkë me ta edhe Albert Deliaj dhe ish-kryetari i qarkut, Medin Xhelili.

– Marcelo Troisi i tërheq vëmendjen Harunit: “Haruni, pas. Shiko vëmendshëm”. Në vijim kërkon shpejtësi nga Rrapaj. Braziliani shpesh ka qenë në tension duke bërtitur.

– 12 minuta lojë. Trajneri Daja përgëzon Ditën: “Bravo Bruno”.

– Karlos Henrike Ramos njihet në Brazil me pseudonimin “Tusha”. Dje në fushë shokët e skuadrës janë dëgjuar ta thërrasin me këtë nofkë, që ngjan shumë shqiptare.

– Nga tribuna qendrore dëgjohet dikush të thotë: “Në Lushnjë topin, jo këtu… te Laveri”.

– Eqerem Memushi vlerëson Bajram Jashanicën gjatë lojës: “Lojtar i mirë Jashanica”.

– Në formacionin e djeshëm ra në sy se Skënderbeu e nisi lojën pa të huaj, por me kosovarë e shqiptarë, ndërsa Flamurtari aktivizonte të tre lojtarët e huaj.

– Troisi ia bën me shenjë gjyqtarit që të japë kartonë për kundërshtarët në ndërhyrjet e gabuara.

– Haruni nuk ia del. Duket se ka një shqetësim në kavilje. Pasi shikohet nga mjeku, Troisi jep aprovimin për ta ndërruar. Në lojë hyn Vrapi.

– Në fund të pjesës së parë gjyqtarit kryesor i flasin nga tribuna: “Laver ju dhatë penallti atë që e fuste nga mushka”. Ndërhyn Eqerem Memushi, teksa i thotë Allës. “Mbaje mirë se të kemi dhëndër”. Më pas me humor ia pret edhe administratori Idrizi: “Na jep një penallti”.

– Kreshnik Nebihu zëvendëson Rrapajn. Gjyqtari nxjerr tabelën për të bërë ndërrimin. Trajneri Troisi i kërkon gjyqtarit të vonojë ndërrimin ndërsa i jep disa porosi Nebihut.

– Trajnerin Daja e thërrasin nga tribun: “O dajo”. Por ndërhyn Idrizi: “Mos e ngacmoni Dajën”. – Rivënie e Oliveirës, Troisi i kërkon Karlos Henrikes të hyjë më në zonë: “Tusha para Tusha”.

– Trajneri Daja këshillon Gripshin: “Kornia e tretë”. Ndërsa ka edhe diçka me Imamin: “Ah Imam”. – Gripshi i rregullon mikrofonin arbitrit kryesor Alla. Ndërsa ka probleme edhe për anësorin, e nga tribuna qendrore i thonë: “O anësor do ndonjë palë gjyzlykë”.

– Stafi i Skënderbeut me sa duket nuk i kishte bërë llogaritë e orës. Në finish ndihmësi i Dajës nxjerr tabelën për të ndërruar Gripshin dhe Esien, por gjithçka mbyllet.

Skenderbeu

– Marcelo Troisi flet shqip. Në mungesë të përkthyesit, braziliani ka ftuar një nga të rinjtë e Flamurtarit që ta përkthente nga greqishtja në “SuperSport”. Pasi përfundoi aty intervistën, u drejtohet mediave të tjera, ndërsa i thotë të riut të largohej: “Jo, jo. Ik se do flas shqip”. Dhe kështu bëri…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"