Pikante Flamurtari-Lushnja/ Duro “than” ujin, Rucin nuk e mban vendi në tribunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2018 | 21:39

Pikante Flamurtari-Lushnja/ Duro “than” ujin, Rucin nuk e mban vendi në tribunë

* Sinan Idrizi ka munguar dje në stadium për shkak se gjendet jashtë shtetit për arsye pune. Në këto kushte, në tribunën qendrore ishin dje zëvendëspresidenti Kreshnik Cipi, si dhe anëtari i bordit, Robert Islamaj, shoqëruar nga drejtues të Lushnjës.

flamurtari lushnja

* Në tribunën qendrore nuk munguan dje as njerëz nga politika dhe figura të njohura të sportit. Ndeshja mes Flamurtarit dhe Lushnjës është ndjekur edhe nga deputeti i Vlorës Edmond Leka. Po ashtu, nga tribuna e kanë ndjekur takimin edhe ish-futbollistët e shquar Rrapo Taho dhe Uran Xhafa, të cilët ishin nën shoqërinë e njëri-tjetrit.

* Vasil Ruci e ka ndjekur ndeshjen e djeshme në këmbë për plot 45 minuta. Gjatë gjithë fraksionit të parë të lojës, Ruci ka qenë i vendosur në rreshtin e parë të tribunës qendrore, por shumë pak ka qëndruar i ulur. Gjatë gjithë kohës ai ka qenë në këmbë, duke konsumuar cigare dhe ujë, si dhe duke kontestuar gjyqtarët.

* Tunkara përfundon në tribunë për shkak të dëmtimit. Lojtari e ka ndjekur ndeshjen dje në qendrore. Tunkara është parë të përshëndetet përzemërsisht dje me punonjës të klubit si dhe tifozë. Në minutën e 35-të të takimit, Klejdis Branica rrëzohet në fushë. Një tifoz nga tribuna ka shfrytëzuar këtë moment duke brohoritur dhe thënë: “Lëre ore të flejë gjumë se lodhet ai!”

* Në pushim të pjesës së parë të ndeshjes, Agim Meto është parë në pankinë në shoqërinë e Franc Veliut.

* Shpëtim Duro e ndoqi dje ndeshjen nga tribuna për shkak se ishte dënuar nga Komisoni i Disiplinës. Duro, pas ndeshjes nuk ka hyrë në dhomat e zhveshjes. Edhe pse u pa të drejtohej drejt tyre, trajneri ka bërë menjëherë prapa kthehu. Trajneri ka qenë i qetë dhe ka diskutuar për disa minuta me drejtorin e klubit, Vangjel Lalucin. Më pas, për pak minuta me ta u bashkuan edhe drejtorët Ardi Behari dhe Ardi Ciruna. Në pak minuta, Duro ka konsumuar një shishe të plotë me ujë, ndërsa dukej se ishte në tension, pavarësisht fitores dhe qetë- sisë së jashtme.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"