Pezullime dhe dëmtime/ Vllaznia, pa 4 titullarë në transfertën me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2021 | 18:32

Pezullime dhe dëmtime/ Vllaznia, pa 4 titullarë në transfertën me Skënderbeun

Plot katër mungesa të sigurta do të ketë Vllaznia në ndeshjen e të dielës kundër Skënderbeut, që do të luhet në stadiumin e Korçës në orën 13:00. Tre prej futbollistëve janë me germën “I”, pikërisht mbrojtësit Imami dhe Isaevski, si dhe mesfushori Imeri.

Vllaznia

Të tre lojtarët kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë pasi u ndëshkuan ndaj Apolonisë në “Loro Boriçi”. Ndërsa futbollisti i katërt që e ka të pamundur për të qenë edhe këtë javë në fushë është mesfushori Herald Marku. Ky i fundit pësoi një tërheqje muskulore në ndeshjen e dy javëve më parë ndaj Laçit dhe i duhen edhe disa ditë për të qenë gati. Kjo është hera e parë që trajneri Tomas Brdariç nuk do të ketë në dispozicion plot 4 titullarë.

Një lajm i mirë është vetëm rikthimi i qendërmbrojtësit Mevlan Adili, i cili mungoi në takimin ndaj Apolonisë për shkak mungesash. Natyrisht, në një grup me 25 futbollistë të federuar, alternativat nuk mungojnë, por bëhet fjalë për gati 40 % të formacionit jashtë, kështu që do të jetë jo pak e vështirë për trajnerin Brdariç. Një garanci për këtë të fundit është forma e mirë e qendërmbrojtësit Dajan Shehi, i cili pritet të jetë sërish titullar në Korçë, duke formuar treshen me Gurishtën dhe Adilin. Një hall më vete është krahu i majtë, aty ku për shkak të mungesës së Isaevskit dhe Imamit nuk ka asnjë lojtar për këtë rol.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"