Petrit Kumi 1961, universi i gazetarisë në një foto “epokale”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2016 | 21:42

Petrit Kumi 1961, universi i gazetarisë në një foto “epokale”

* 55 vjet më parë – e vetmja foto sportive shqiptare që fitoi një konkurs ndërkombëtar…

* Në kujtim të futbollit të të paharrueshmëve Shevqet Topi, Nazmi Maxhuni, Bahri Ishka…

* Një foto historike që na çon te një nga Kampionatet më të bukur të futbollit shqiptar…

Si gazetar i vjetër kam një lloj revolte të vogël tek i rikthehem mbas plot 15 vjetëve këtij tregimi të shpejtë gazetarie. Kësisoj, ngaqë paradokohe kjo foto e rrallë u botua, madje paksa u komentua, pa denjuar për t’i përmendur emrin e autorit!

Untitled-9Dhe, me sa duket, vetëm e vetëm sepse sot autori nuk ka rëndësinë “funksionale” të dikurshme. Pra, nuk është ndonjë gazetar klanesh, nuk është i afërt me interesa të ngushta vetjake të pushtetit e të servilizmit që shpesh sot u blatohen shërbimeve disi prej shërbëtori, firmave “popullore” po të sotme, apo partive në pushtet apo njerëzve që janë të lidhur me këtë pushtet, ministri a mjedis politik.

Dhe është shumë e rëndë kur bëhen shkrime a botime vetëm për t’i bërë qejfin dikujt, aq më keq të pamerituarve.

Të botosh këtë fotografi që në historinë e gazetarisë shqiptare nuk i dalin rivale e të “harrosh”, gjoja padashur, autorin edhe pse ia ditke vitin e botimit fotos mbasi këtë e ke plagjiatuar prej botuesit të parë, ky është një faj i qëllimshëm.

Untitled-10Pa shkuar mandej tek ajo tjetra: të botimit pa i marrë leje autorit, i cili është midis nesh, i fortë, i kthjelltë dhe profesionist e protagonist i djeshëm e i sotëm i fotografisë kombëtare.

Kështu pra, jemi në 55-vjetorin e kësaj fotoje – e cila është foto e vetme shqiptare e Mbasluftës që fitoi një çmim ndërkombëtar. Dhe është një foto sportive – çka i bën nder vetë gazetarisë dhe historisë së sportit kombëtar. Tash, meqë e fshehën, po ua “zbuloj” autorin e saj, ndonëse ai është “i zbuluar” prej bukur nja 65 vjetësh në fotografinë shqiptare. E quajnë Petrit Kumi.

E njihni fort mirë pra. “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh” i Republikës së Shqipërisë. E kishte injoruar ai që kur e botoi pa leje foton e tij, “harroi” t’i shkruante emrin, ndonëse u kujtua fort mirë për të tjerë, që assesi nuk kishte arsye t’i kujtonte…

Dhe sa e rëndë është për gazetarinë kur merr përsipër të shkruash për ato çka nuk i di apo që nuk dëshiron t’i dish. Në lirinë e shtypit të kohës së re të Demokracisë, kjo është një dukuri krejt e pakëndshme dhe një cenim i të vërtetës historike.

AUTORI I NJË 55-VJETORI “ORIGJINAL”. 

Ky është një 55-vjetor i rrallë, krejt i veçantë apo origjinal, quaje si të duash, për historinë e fotografisë sportive shqiptare. Është 55-vjetori i kësaj fotografie, e cila deri më sot është e vetmja që ka fituar një konkurs ndërkombëtar të fotografisë. Aparati fotografik i Kumit është shkrepur në një çast ndeshjeje të pasdites së 26 shkurtit 1961, por është botuar në faqen e parë të gazetës “Sporti popullor” më 1 mars 1961.

Ajo është botuar poshtë në faqen e parë të gazetës si një rutinë, pa i dhënë shumë rëndësi mbase, në dy kolona. Autori i saj është pra fotografi i shquar Petrit Kumi (1930), i cili prej dekadash të dy shekujve qëndron në krye të artit fotografik shqiptar. Shumëplanësh në tematikën e tij, foto nga jeta, puna, historia, arti, kultura, Kosova, shkenca, politika, Kumi përherë e ka parë fotografinë si një krijim të mirëfilltë artistik, duke krijuar madje një shkollë, falë së cilës kanë dalë plejada…

Fotoreporter i revistës “Miqësia” (1953-54) me mbulesat (kopertinat) e tij ndër të parat të konceptuara në një origjinalitet, fotoreporter i klasit të parë i ATSH-së (1960-1964), ai është krejt i pazakontë kur kalon periudhat e tij më të pasura në revistën “Ylli” (1964-1988) ku duhet thënë se bën epokë. Dhe, me gjithë censurën e kohës, ia arrin të përftojë art të vërtetë fotografik.

Të vështira vitet 1988-1991 kur Kumi është përgjegjës i Laboratorit Fotografik të ATSH-së, por talenti di të rezistojë edhe në kushte të këtilla edhe pse ia detyrojnë largimin.

Qysh nga ky çast, Petrit Kumi nis një periudhë të re, ajo që e çon në themelimin e Shoqërisë së tij Fotografike “Kumi foto”, sot pa dyshim më e suksesshmja në Shqipëri, me një gamë të pafund shërbimesh tejet moderne. Dhe do të ndalemi kështu te fotoja jonë, siç thamë, e vetmja foto sportive shqiptare, që ka arritur të fitojë një çmim ndërkombëtar.

Kur duhet pohuar se edhe fotografia sportive qe një pasion i veçantë për Kumin, njohës i mirë i sporteve, sidomos i futbollit, besnik i përhershëm i 17 Nëntorit, Sportklub Tiranës së tij, por në tanësi i krejt sportit kombëtar, i krejt ekipeve e klubeve sportive shqiptare, i krejt jetës sportive shqiptare.

Albumi i tij i shumanshëm (universal), i botuar më 2013, ka një kapitull të tanë kushtuar ngjarjeve të sportit shqiptar, çka vërtetojnë vokacionin e tij origjinal edhe në fotografinë sportive. Loro Boriçi, Behlul Hatibi, Teodor Janku, Skender Jareci, Shqipëria – Gjermania 0-0, 17 Nëntori i Myslym Allës, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Ramazan Driza, Aleksandër Kondo, Agim Fagu, Marjeta Pronjari (Zaçe), Pavlina Evro, futbolli, basketbolli, volejbolli, atletika e lehtë, spartakiada, stërvitja sportive e deri te radiokronika e Sandro Ciotti-t, Ismet Bellovës e Ahmet Shqarrit… Dhe të gjitha nën shtjellimin e një historie e interpretimi sportiv të një psikologjie e ritmike sportive të rrallë…

PETRIT KUMI, “KRIJUESI” I EPISODIT “ARTISTIK” TË NDESHJES. Foto i përket ndeshjes 17 Nëntori – Besa së Javës 1 të Kampionatit Kombëtar të vitit 1961. Dicitura e botuar jep dy emra: portierin e shquar të Besës, Shevqet Topi – dy herë me Kombëtaren e Shqipërisë, një nga stilistët më të spikatur të portës; po dhe Bahri Ishkën – sulmuesin e talentuar të 17 Nëntorit të viteve ’60 dhe tri ndeshje me Kombëtaren.

Dy figura të paharrueshme, tejet të çmueshme për futbollin kombëtar. Madje, portieri Topi është portieri i fitores së parë të Kombëtares së Shqipërisë në kualifikimet euro-botërore Shqipëria – Danimarka 1-0 të Tiranës së 30 tetorit 1963.

Në plan të parë, megjithatë janë portieri Topi dhe mbrojtësi i Besës, po aq i përkujtueshëm, Nazmi Maxhuni, i cili ka zënë gjithë qendrën e pamjes, në vrapin e tij të lehtë dhe elegant. Është vërtet një harmoni e gjitha, aq sa duket shumëngjyrëshe në bardhezinë e saj kontrastuese.

Simpatik, shtatlartë, elegant, madje spektakolar në pritjet e tij, Shevqet Topi i tillë duket edhe në këtë foto. Ndërkaq, në plan të parë pra, është Nazmi Maxhuni i një fiziku solid, herë-herë atletik në shpejtësinë e lojës së tij, i aftë të luajë të gjithë rolet e mbrojtësit të kohës, firmë ndër të parat e të paktën dy skuadrave të shquara të futbollit shqiptar, Besës së Kavajës dhe Lokomotivës së Durrësit.

E në vitet ’90 – themelues i Shoqatës “Gerd Myler” në Durrës. Mbi të gjitha me një rol spikatës edhe në luftën për demokraci në Shqipëri, për fatalitet i ndarë kohët e fundit nga jeta. Më ka lënë kujtimin e përshkrimit të episodit të fotos fituese.

Tregonte Maxhuni: “Natyrisht, askush prej nesh nuk ka menduar se po fotografohej. Por një gjë është: rasti që në foto duket kaq dramatik, në të vërtetë nuk është plotësisht i tillë. Gjuajtja e Ishkës nuk paraqiste mirëfilli një rrezik fort të madh, por Topi çdo pritje dinte ta kthente në art.

Ai e ka lënë topin e parrezikshëm të Ishkës t’i kalojë paksa mbrapa, në mënyrë që të kryente një pritje spektakolare, të cilën autori i fotos, Petrit Kumi, ka ditur ta kapë me art…” Petrit Kumi ia ka arritur kësisoj të krijojë një tablo të shkëlqyeshme të ndeshjes në një stadium “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”), i cili kështu nuk mbushet më kurrë! Vështroni se sa me largpamësi janë fiksuar prej Kumit tribunat e tejmbushura në hapësirën e nja gati 150 metrave.

Një “peizazh” i rrallë! Porta, stadiumi, spektatori, aksioni, pritja e portierit, pamja thuajse e plotë e topit në duart e tij, vendosja thuajse taktike e mbrojtjes dhe e sulmit kundërshtar, kontrasti i qartë i fanellave të Besës vijavija dhe “horizonti” lart deri te pastërtia e një qielli “hyjnor”. Dhe Shevqet Topi dhe Nazmi Maxhuni në qendër, të cilët kanë disi në largësi në krah nga e majta si në sfond kapitenin e 17 Nëntorit, Enver Shehu, ndërsa nga ana e kundërt duhet të jetë Xhavit Daiu – dy emra të përkujtueshëm e të famshëm në historinë e këtyre dy klubeve.

Mbas tyre, krejt në skaj djathtas, është sulmuesi kryeqytetas Fredi Ruço, një futbollist mjaft i talentuar për kohën, në të vërtetë autori i golit të vetëm të kësaj ndeshjeje.

Kam qenë në stadium atë ditë, diku aty në mes të tribunës karshi që Kumi e ka përfshirë gati të plotë në objektivin e aparatit të tij…

GAZETARIA E FOTOS DHE KAMPIONATI DRAMATIK 1961

Ajo ka qenë një ndeshje e fortë dhe, ndonëse nën epërsinë e 17 Nëntorit, kjo fiton jo me aq lehtësi.

Skeda e saj na jep rast për të kujtuar disa emra të shquar të futbollit shqiptar të drejtuara prej dy ndër trajnerët po kaq të shquar, madje historikë të futbollit tonë, Myslym Alla dhe Zihni Gjinali.

Ndeshje e gjykuar prej të përkujtueshmit Dash Djepaxhia – pa dyshim një nga gjyqtarët më të ndershëm që ka pas futbolli shqiptar – i ndihmuar prej anësorëve Tiko e Bakllava, të cilët gjithashtu kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në gjykimet e futbollit shqiptar.

Është një 17 Nëntori thuajse i ri përballë emrave të ndritur të futbollit të një Bese të treshes legjendare për të, siç ka qenë ajo Gavardari-Gërmani- Dimroçi. Skeda është kjo:

17 NËNTORI-BESA 1-0

Tiranë, 26 shkurt 1961, stadiumi “Dinamo”

17 NËNTORI:

Metani, Frashëri, Stërmasi, Kasmi, O.Mema, Baçi, Xhaçka, Bylyku, F.Ruço (G.Çaushi), Shehu, Ishka. TRAJNER: M.Alla.

BESA:

Topi, A.Karriqi, Maxhuni, Daiu, Mahmudaj (Simaku), Gavardari, Felahi, Saraçi, Gërmani, Zhelegu, Dimroçi. TRAJNER: Z.Gjinali

SHENUES: F. Ruço 47′.

GJYQTARE: D.Djepaxhia, M.Tiko, F.Bakllava.

Duke iu referuar librit tim të 6-të në dorëshkrim, atij “Historia e Kampionateve të Shqipërisë (Vitet 1960-1964)”, faktohet se kjo ndeshje i përkiste pikërisht Javës së Parë të Kampionatit të vitit 1961 – një nga më dramatikët në histori. Para nja 10.000 shikuesve ajo ka qenë një ndeshje e fortë, madje e ashpër e paksa edhe me nervozizma.

Episodi i fiksuar prej Kumit i përket minutës së 28-të. Themeluesi i profesionit tonë Anton Mazreku, e përshkruan kështu këtë çast: “…

Në minutën e 28-të një aksion mjaft i rrezikshëm i krahut të majtë të “Besës” për pak sa nuk përfundon në gol. Mbas dy korneve të gjuajtura nga tiranasit, Ishka e dërgon topin në drejtim të portës, por portjeri kavajas e pret ate me një kërcim akrobatik, që duartrokitet nxehtësisht…”. Edhe këto rreshta të shpejtë mazrekiane na çojnë te një problem i sotëm i gazetarisë sonë.

Mazreku e ka transmetuar drejtpërdrejt këtë ndeshje në radio, por edhe ka shkruar reportazhin e saj prej ku mora këto radhë. Vështroni se sa i vëmendshëm dhe autentik është, teksa e veçon këtë episod, të cilin ndërkaq, largpamësia e autorit Petrit Kumi e fikson aq bukur me fotoaparatin e tij.

Dhe mbas asaj çka thashë në hyrje të këtij shkrimi historie futbolli e problematike gazetarie, vetvetiu kjo e fundit, gazetaria, më shtyn të pyes: Sa i përshkruajmë sot ndeshjet sportive? Sa i veçojmë situatat e rralla, tërheqëse që një ndeshje futbolli na shfaq sa e sa herë? Madje në fotografi, në shkrime e në “panoramë” apo qoftë dhe moviolë televizive?

Sa peshë dhe vend kanë sot në gazetarinë shqiptare përshkrimi, tregimi i një stili që veçon, që si të thuash ta jep në pëllëmbë të dorës bukurinë e veçantë të asaj çka ngjet, ty që nuk ke qenë në stadium, e që nuk e ke pa ndeshjen as në televizion?

Pa shkuar mandej te detyrimi profesional i fiksimit të historisë për të mbetur i gjallë ky lloj tregimi që në këtë rast regjistron historinë sportive kombëtare.

Besoj se ju kujtohet goli i paradokohe nga mesi i fushës së Bledi Shkëmbit të Skënderbeut, që, edhe pse hyn në historinë e rekordeve të futbollit botëror, mezi u thanë nja dy fjalë dhe për të cilin heshti televizioni! Këto pyetje kërkojnë një seminar gazetarie.

Dhe e shihni se kemi mbetur në përditshmërinë, sidomos të pushtimit televiziv prej portreteve të presidentëve të futbollit, që nga zyrat e FSHF-së e deri në klube, që aq shpesh ia kanë zënë frymën gazetarisë për publikun.

FSHF-ista, inspektorë, drejtorë stadiumesh, menaxherë, e deri dhe “komisarë” a delegate ndeshjesh që etika e kërkon që të jenë më fort “të panjohur” se sa të njohur, sot gati çdo javë zëvendësojnë gazetarinë. Ndonëse dihet, këta nuk mund të zëvendësojnë kurrë gazetarët, të cilët e kanë profesion që të informojnë e të tregojnë, gazetarët pra, ata, të cilët një mjeshtër mitik si Enzo Biagi, i quan “dëshmitarë të realitetit”. Ata, të cilët mandej menjëherë shndërrohen në tregimtarë të paanshëm të këtij realiteti.

Dhe i kthehem ndeshjes në fjalë, vetë Kampionatit 1961. Ky është Kampionati i fituar nga Partizani mbas ndeshjeve shtesë me Dinamon për shkak të renditjes të të dyve me pikë të barabarta 30!

Dy ndeshje, njëra 120 minuta 1-1 dhe tjetra 122 minuta 1-0 për Partizanin, ndërprerë pikërisht në minutën golashënuese 122, siç qe paracaktuar prej FSHFsë me golin e të pandashmit Panajot Panos – kolos i futbollit shqiptar. Ky është Kampionati kur 17 Nëntori renditet vetëm i treti me 7 pikë më pak dhe Besa e 7-ta.

Është Kampionati që zbret për herë të dytë në Kategorinë e Dytë Vllazninë e Shkodrës, e cila sapo paraqiste në fushën e lojës të talentuarit e saj të mëdhenj, 17-18-vjeçarët Ramazan Rragami, Selami Dani e Esat Rrakiqi, me të cilët më mbas ajo do të bënte histori.

Dhe ky 55-vjetor është një rast për t’i kujtuar brezit të sotëm të lojtarëve të Vllaznisë 2016 se assesi nuk duhet të përkojë me një rënie të tretë të saj… Por, më shumë se kaq, ai ishte Kampionati i 17 Nëntorit më të ri se kurrë: i emrave si Kasmi, Frashëri, Osman e Ali Mema, Ishka, Xhaçka, Dauti e Ikonomi – plot 8 lojtarë në vetëm nga 17 deri në 20 vjeç!

Historia e Shqipërisë nuk mbante dhe nuk mban ndër mend që skuadra e saj, që zinte vendin e tretë në Kampionat, të përbëhej prej një rinie të tillë, që mbas pak do të sundonte thuajse krejt futbollin e viteve ’60. Dhe ishte ky 17 Nëntor ai i cili me dy barazimet 2-2 me Partizanin ndikoi tejet për t’i çuar PartizanDinamon te drama e dy ndeshjeve vendimtare 242- minutëshe – rast që deri sot e kësaj dite nuk e njeh historia e futbollit botëror!

DHE FOTO FITIMTARE E MOSKËS Thashë, foto u botua më 1 mars 1961. Dhe në numrin e 27 dhjetorit 1961 nën titullin “A ju kujtohet kjo fotografi”, ajo ribotohet me njoftimin se fotografia e dërguar nga Petrit Kumi për në Ekspozitën Ndërkombëtare të Fotografisë në Moskë fitoi diplomën duke u regjistruar në Librin e Fituesve të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike të Moskës për vitin 1961. Duhet thënë ndërkaq, se viti 1961 për fotografinë sportive të Petrit Kumit është tejet i pasur.

Për fat, në këtë vit gjenden të botuara shumë foto të tij, ku mbeten të paharrueshme krijimet për ndeshjet e Partizanit në Kupën Ballkanike, ato të dy përcaktueseve dramatike për titullin kampion PartizanDinam”, polifoto origjinale për Partizanin kampion dhe shumë subjekte të tjera sportive të vitit, sot me një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe krijuese. Janë një shembull i rrallë krijimi fotografik.

Kanë kaluar plot 55 vjet dhe kjo foto e Petrit Kumit mbetet e vetme (unike), sepse sot e kësaj dite vetëm ajo ka fituar një konkurs ndërkombëtar të fotografisë. Nga ana tjetër, për historinë e politikës së Shqipërisë Komuniste 1961, kjo foto fitimtare e Moskës, është, si të thuash, lidhja e fundit kulturore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, të shndërruar nga mik i madh në armik.

Befasisht me të mbyllet çdo marrëdhënie midis dy vendeve të shoqërisë komuniste staliniane shqiptare dhe asaj hrushoviane “revizioniste” sovjetike. Sot mbas 55 vjetëve, kjo foto qe një shkas për histori të mëtejme.

Artisti i Merituar dhe Mjeshtri i Madh, Petrit Kumi – fitues edhe i Çmimit “Anton Mazreku” në gazetari – teksa ka hyrë në dekadën e nëntë të jetës së tij, vazhdon të krijojë duke u mbështetur tashmâ te teknologjia moderne e Shekullit XXI, po aq i kthjelltë e mjeshtëror, po aq energjik dhe krijues.

Albumi i sipërpërmendur botuar më 2013, tejet elegant e i shtrirë në 60 vite të epokës shqiptare, të Regjimit e të Demokracisë, është një vepër e madhe e vërtetësisë historike të pagabueshme, ku edhe sporti zë vendin e tij të nderuar.

Çka veç një artist si Petrit Kumi këtë di ta sendërtojë duke e ngritur gjithçka në art. E të duket se ky krijim i ri, i shumanshëm (universal) i tij, është në njëfarë mënyre, një lloj vendi i parë i dytë i tij mbas atij ndërkombëtar të vitit 1961. Në të vërtetë është një majë e fotografisë.

Nga BESNIK DIZDARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"