Pësuan 5 gola nga Dinamo, lojtarët e Lushnjës i nxorën nervat te dera e… tualetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2022 | 23:53

Pësuan 5 gola nga Dinamo, lojtarët e Lushnjës i nxorën nervat te dera e… tualetit

Lushnja nuk po gjen dot shpëtim. Pritej një reagim në kryeqytet, por nuk ndodhi kështu. U mundën 5-0 nga Dinamo në transfertë dhe janë ngujuar në vendin e 12-të të renditjes. Më shumë se lënia e pikëve, rëndon marrja e golave.

LUSHNJA

Kjo ishte humbja më e thellë që verdhejeshilët kanë pësuar në këtë kampionat. Kjo dashur pa dashur ka mërzitur shumë lojtarët, që nuk i kanë mbajtur nervat pas ndeshjes. Ishte vendimi i Komisionit të Disiplinës që i nxori zbuluar, i cili thoshte: “FC Lushnja urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ brenda 15 ditëve”. Pas interesimit, gazeta mësoi se lojtarët kanë dëmtuar derën e banjës së stadiumit.

MAGANI – Lushnjarët vijojnë me përgatitjet në kuadrin e ndeshjes me Orikun, që do ta luajnë të mërkurën e ardhshme në “Roza Haxhiu”. Kjo do të jetë edhe përballja e fundit për vitin 2022, pasi me Skënderbeun është shtyrë për në janar.

Skuadra që drejtohet nga Blerim Hasalla ka si alternativë të vetme fitoren. Këtë e pohon për gazetën “Panorama Sport”, edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Endrien Magani. “Është një ndeshje që po e përgatisim për ta fituar.

Detyra jonë është të mos falim më pikë dhe për të martën misioni është i qartë. Janë 90 minutat e fundit për këtë vit, ndaj do të luftojmë për maksimumin e pikëve. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Luajmë në fushën tonë, ndaj do të ishte mirë mos përsërisim Luzin apo Tërbunin. Të shprehemi mirë dhe të gjejmë kthesën. Të marrim tri pikët që na duhen me patjetër”, deklaroi Magani.

Lushnja ka dy muaj që nuk fiton. Fitorja e fundit i përket 22 tetorit, kur verdhejeshilët fitonin 2-0 me Turbinën në “Roza Haxhiu”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"