“Pësuam gola amatorë”, shpërthen Ilir Gjyla: Afrikanët s’i morëm për dy ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2020 | 13:13

“Pësuam gola amatorë”, shpërthen Ilir Gjyla: Afrikanët s’i morëm për dy ndeshje

Ilir Gjyla ka mbetur më shumë se i zhgënjyer nga ky barazim. Trajneri i Lushnjës nuk i kurseu kritikat për të tijtë dhe sidomos për repartin e mbrojtjes dhe lojtarët që u futën nga stoli.

gjyla

Gjatë intervistës së dhënë pas ndeshjes, numri një i pankinës ka analizuar me detaje dy golat e pësuar, të cilët i quan amatorë.

Profesor, nuk arritët dot te fitorja. Si ndiheni?

Na vjen keq. Pësojmë gola amatorë. Si në pësimin e golit të parë edhe në të dytin, kemi bërë veprime amatoreske.

Pse ndodh kjo?

Kjo vjen nga mospjekuria e futbollistëve. Kemi lojtarë që për herë të parë luajnë me ekipin e parë. Një gabim aq trashanik në pësimin të golit të parë, aq më trashanik në episodin e penalltisë. Erdhi nga hiçi dhe për mungesë profesionalizmi.

Pësimi i golit të parë sikur na tulati. Më vonë skuadra reagoi dhe barazoi. Ky gol erdhi nga një goditje standarde, si rezultat i lojës që e spostuam në portën kundërshtare. Në pjesën e dytë skuadra u nis përpara. Arritëm të shënonim golin e dytë dhe kishim raste të tjera për shënim.

Çfarë vutë re në këtë përballje?

Futbollistët duan të shënojnë vetë, edhe pse mund të pasojnë te shoku. Po të vepronim kështu, do kishim shkuar 3-1. Gabime të shumta bëjmë sidomos në mbrojtje, veçanërisht Boni Valeri dhe Abdulxhabar. Kanë rënie nga ndeshja në ndeshje.

Me të vërtetë që ne i zgjodhëm vetë, por nuk i afruam vetëm për të na luajtur dy ndeshje. Prej këtyre dy futbollistëve kemi pësuar shumë gola. Ndërrimet jo vetëm që nuk na e kanë ngritur lojën, por na e kanë ulur. Unë mendoj që ulja e lojës si rezultat i ndërrimeve na bëri që të pësonim. Më kanë habitur, ishin skandaloze.

Ju i ndërruat?

Po normal që ne i ndërrojmë, herë të ecën e herë jo. Por, ndërrimet nuk kanë bërë asgjë në fushë. Gjithsesi, në pjesën e dytë skuadra ka dalë në një lojë të rrjedhshme. Dalim, por gabojmë. Nuk mund të gabosh 50 herë. Deri në pësimin e golit të parë ishim ne ata që po luanim.

Bëmë një gabim, atë të Abdulxhabarit, dhe pësojmë gol. Fillojmë të luajmë, por kur pëson gol, do të lodhesh. Duhet të shënosh i pari. Sa herë kemi shënuar të parët, kemi fituar. Dakord, kemi kaluar në avantazh, por kemi bërë gabime trashanike.

A.ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"