“Pësojmë vërtet gola të evitueshëm, por…”, Agim Canaj: T’i japim fund stresit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2022 | 12:00

“Pësojmë vërtet gola të evitueshëm, por…”, Agim Canaj: T’i japim fund stresit!

Lushnja nuk ka shpëtuar ende matematikisht, e megjithatë nuk mund të mohohet se ka pasur një ecuri të jashtëzakonshme në fazën e dytë. Nën drejtimin e Agim Canajt kanë grumbulluar 25 pikë që pas janarit, në një kohë që në total kanë marrë 39 të tilla. 90 minuta para finishit, verdhejeshilët janë në vendin e 8-të dhe shumë pranë mbijetesës.

AGIM CANAJ

Lushnjarët do të kërkojnë të fitojnë edhe ndeshjen e fundit, që e luajnë në transfertë me Shkumbinin. Nëse në shtëpi nuk e njohin humbjen, jashtë kanë deficite.

Ende nuk e kanë shijuar suksesin dhe maksimumi kanë 6 barazime. Edhe të shtunën udhëtojnë me mungesa, e megjithatë duket se lushnjarët kanë krijuar imunitet për të luajtur me grup të cunguar.

Këtë e thotë edhe vetë trajneri, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”. Vlonjati i bën një analizë asaj që ka ndodhur deri në këtë pikë të sezonit dhe më konkretisht ndalet te golat.

“Mungesat të fusin në stres, por neve na kanë bërë mirë. Çdo javë kemi pasur deficite në të gjitha repartet dhe kjo na ka ndihmuar të kalojmë vështirësi. Ne mundohemi t’i arnojmë dhe kjo na ka dhënë efekte pozitive. Unë jam i kënaqur, sepse edhe me Apoloninë të gjithë luajtën dhe dhanë maksimumin.

Kuptohet që është fund kampionati dhe presioni shtohet. Ka lodhje fizike dhe psikologjike, por i kemi kapërcyer. Ndonjëherë, iniciativat janë pak më të zbehta pas golit. Po kjo mund të quhet normale, pasi lojtarët mundohen që të ruajnë rezultatin.

Edhe në ndeshjen me Vorën, e pësuam prej kësaj. Kur ne kaluam në avantazh, morëm gol shumë shpejt. Kjo mungesë ekuilibri e ka një shkak: eksperienca. Skuadra duhet të jetë më e angazhuar dhe ndonjëherë duhet të ketë ndonjë shkëndijë edhe individuale. Ndëshkohemi, por ama disa edhe mund t’i evitojmë.

Vijnë nga goditjet standarde apo ndonjë pasim i gjatë. Megjithatë, në kompleks jam i kënaqur. Ecuria është e mirë, kemi humbur vetëm me Butrintin.

Shpresoj shumë që edhe në finish të jemi në 100% tonë për ta mbyllur me sukses gjithë këtë rrugëtim të fazës së dytë. Sfida ka qenë e vështirë, pasi na është dashur të rikuperojmë pikët që janë humbur në fazën e parë dhe në të njëjtën kohë të kapërcejmë kundërshtarë që kanë qenë me 5-6 pikë përpara nesh”, përfundoi vlonjati i stolit të Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"