Pësoi gol nga porta në portë, Koliçi: Shokët më ngacmuan (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2016 | 19:34

Pësoi gol nga porta në portë, Koliçi: Shokët më ngacmuan (VIDEO)

U ndëshkua me një gol të rrallë në Pukë, pasi portieri kundërshtar i shënoi nga porta në portë. Enea Koliçi nuk kërkon të justifikohet, megjithatë shpjegon se, përtej terrenit dhe erës, edhe ai kishte faj në atë episod.

13062548_1139515959402005_8388362830990852840_n (1)Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai rrëfen se u ndie i qetë vetëm pasi u përmbys rezultati, ndërsa sqaron se nuk e priste që topi të shkonte drejt e në portë.

Enea, një fitore e vuajtur në Pukë, që ju mban ende në vendin e tretë. I lumtur për atë trepikësh?

Ishte një fitore vërtet e rëndësishme, e cila na mban në vend të tretë. Me një terren shumë të vështirë prej shiut e breshrit, vështirësia e këtij dueli u rrit ndjeshëm. Pasi vetëm për futboll nuk ishte ajo fushë. Gjithsesi, e gjithë skuadra dha maksimumin dhe dolëm me pikë të plota, kjo është më e rëndësishmja.

Rrallëherë ndodh që të pësohen gola nga porta në portë. Çfarë ndodhi në atë rast, kur ju ndëshkoi pikërisht portieri?

Janë gola që ndodhin rrallë, por u ka ndodhur edhe portierëve më të mëdhenj që ta pësojnë në këtë mënyrë. Nuk dua të justifikohem duke thënë që e kishte faji terreni i keq apo era, thjesht ndodhi. Ishte një moment i keq dhe e pësova.

Çfarë ndiet në ato momente, na e shpjegoni dot?

U ndjeva shumë keq. Por, sapo shënuam golin e avantazhit, e harrova.

Si portier me eksperiencë, ishte një gabim i juaji që kishit dalë apo një moment i papritur?

Ishte thjesht një moment, ku sa fati apo befasia bënë që të ndodhte. Gola të tillë nuk priten të ndodhin, por që ishte pak edhe përgjegjësia ime. Ishte një goditje e gjatë, që erdhi drejt portës, askush s’e priste, normalisht as unë, pasi ishte nga porta në portë, ndaj dhe kisha dal pak para, çka është krejt normale. Ishte një gol që i ka të gjitha, fat e befasi.

Morët kritika për këtë gol, pasi bëri dhe xhiron e javës në media?

Kritika jo, por më shumë ngacmime nga shokët. Dua të them që më mbështetën të gjithë, si stafi dhe shokët e skuadrës. Kjo më bën akoma më të përgjegjshëm. Pastaj, ky është sekreti i Kukësit, jemi të gjithë bashkë në të gjitha momentet, qofshin të vështirë apo pozitivë.

Edhe pse pësuat një gol të tillë, po kaloni një formë mjaft të mirë. Jeni i kënaqur që jeni titullar gjithë fazën e tretë dhe të katërt?

Jam i kënaqur që jam titullar në këto 14 ndeshjet e fundit, po më shumë më gëzon fakti që nga 15 ndeshje kemi pësuar vetëm një humbje. Janë edhe 2 takime për t’u luajtur, ndaj shpresoj që t’i bëjmë 16 në total.

Keni dhe një ndeshje me Tiranën, si e shikoni atë?

Ndeshja me Tiranën na siguron vendin e tretë, ndaj të gjithë e dimë sa e rëndësishme dhe çfarë vlere ka ky 90-minutësh. Kam shumë besim që në fund do të festojmë arritjen e objektivit të parë sezonal.

Kalon vendi i tretë nga ky takim?

Kjo është ndeshja e fundit, por ne do ta trajtojmë si të radhës. Synimi është që të fitojmë dhe sigurojmë Europën. Ka shumë faktorë që do të tregojnë varet apo jo nga kjo ndeshje vendi i tretë.

Jeni vetëm dy ndeshje larg objektivave, përfshi këtu edhe finalen e Kupës. Do t’ia dilni?

Kemi kapacitetet e duhura për ta arritur. Kemi një skuadër të kompletuar dhe të fortë. Shumica e rivalëve na e kanë frikën dhe me të drejtë, pasi kemi treguar që mundim këdo. Rezultatet të paktën në fazën e tretë dhe të katërt e vërtetojnë më së miri. Jemi të bindur që ia dalim në të dy frontet. Kemi dy finale…

Po për të ardhmen çfarë mendoni, ku e shikoni veten duke qenë se ju skadon kontrata me Kukësin në fund të këtij sezoni?

Për momentin jam i fokusuar tek ekipi, puna në skuadër, dua ta mbaroj me sukses edhe me një trofe këtë sezon, pastaj dua të kemi një ecuri pozitive në Europa League. Vetëm më pas mendoj për të ardhmen. Por, te Kukësi ndihem shumë mirë dhe për një futbollist ky aspekt ka mjaft rëndësi.

SKERDILAID SULOZEQI


Terbuni – Kukesi 1-2 Goli i portierit Kuka by gazeta-panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"