Pësoi 4, por Rumenigen e shqetëson gjë tjetër: Nuk toleroj më 0 gola të shënuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2017 | 12:14

Pësoi 4, por Rumenigen e shqetëson gjë tjetër: Nuk toleroj më 0 gola të shënuar

Humbja e së premtes me Milanin, në Shenzhen, me rezultatin 4-0, ka tërbuar shefin e klubit të Bajernit të Mynihut. Karl-Hainc Rumenige është i vetëdijshëm që në fazën përgatitore të tilla “defekte” mund të ndodhin, por natyrisht që për një skuadër të kalibrit të kampionëve të Gjermanisë është e pamundur që të kapërdihet fakti i të pësuarit të katër golave, për më shumë që në të njëjtën kohë nuk ke arritur të shënosh asnjë.

rumenige

Dihet që në Azi, në këtë periudhë temperaturat dhe sidomos lagështira është në nivele tmerrësisht të larta, por sërish ai pret shumë herë më shumë nga skuadra e drejtuar nga trajneri Karlo Ançeloti. Dhe këtë fakt, si numri një i klubit më të madh në Gjermani dhe i pesë më të mëdhenjve në botë, Rumenige nuk mund të heshtë dhe të qëndrojë i qetë.

bajern

“Nuk mund ta fsheh dot faktin se humbja kundër Milanit më surprizoi dhe jo pak madje. Mund të dallohej qartësisht se skuadra dhe futbollistët ishin shumë të lodhur, praktikisht të vdekur në fushë. Por, nga ana tjetër, kishim një Milan të freskët që vuante gjithashtu të njëjta kushte klimaterike si ne, pavarësisht se nuk kanë aq shumë ditë sa ne në turneun aziatik. Të humbësh 4-0 nuk është asnjëherë diçka e bukur, prandaj nuk jam kurrsesi i lumtur me këtë fakt, përkundrazi…

bajern

Ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm dhe qoftë edhe në një miqësore duhet ta vëmë në fushë atë, sepse po përgatisim sezonin e ardhshëm. Jam i nervozuar, për faktin se ndoshta katër gola edhe mund të pësohen, duke qenë se edhe përqendrimi nuk është në maksimum, por të mos arrish që të shënosh asnjë, kjo është disi e vështirë për t’u kapërdirë.

Shpresoj që tani e në vazhdim të tilla figura aspak të bukura të mos përsëriten më. E dimë që duhet të përmirësohemi dhe pres që këtë ta shoh që në dy ndeshjet e radhës në Azi”, u shpreh Rumenige.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"