PESHËNGRITJE/ Zgjedhjet në Tiranë, Federata Botërore mandaton kryesinë e re drejtuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 22:44

PESHËNGRITJE/ Zgjedhjet në Tiranë, Federata Botërore mandaton kryesinë e re drejtuese

Vetëm disa ditë pas zhvillimit të Kampionatit Europian, Tirana u kthye sërish në epiqendrën ndërkombëtare të shtangës, teksa në pallatin e kongreseve të shtunën dhe të dielën u mbajtën punimet për asamblenë zgjedhore të Federatës Botërore të Peshëngritjes.

ZGJEDHJET

Më shumë se 250 delegatë nga e gjithë bota ishin në Shqipëri për të zgjedhur kryesinë e re drejtuese të IWFsë, ndërsa gjatë asamblesë e mbajtën fjalën edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, si dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Mohammed Hasan Jalood Alshammari është zgjedhur president i Federatës Botërore, i cili bëhet edhe drejtuesi i parë me mandat të plotë që pas dorëheqjes së Tamas Ajanit në vitin 2020. Megjithatë, asambleja nuk kaloi pa polemika, teksa 9 nga 11 kandidatët për president u tërhoqën nga gara pak para fillimit të votimit, ndërsa pati protesta nga kandidati i Katarit, Yousef Al-Mana, i cili pretendonte se mes të tërhequrve ishte edhe Jalood.

Kjo bëri që Al-Mana të vendoste më pas për të mos kandiduar, për t’i hapur kështu rrugë zgjedhjes së Jalood në krye të shtangës botërore. Jalood është një zyrtar i vjetër në IWF, i cili deri para zgjedhjeve kishte mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm. “Sot, ne kemi bërë hapin e parë të rëndësishëm në ndërtimin e një organizate më të fortë, më elastike dhe më ambicioze”, ishin fjalët e para të Jalood, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit. Gjithashtu, u zgjodh edhe bordi i ri drejtues, ku mes zv.presidentëve bën pjesë edhe legjenda e peshëngritjes, Pirro Dhima, si përfaqësues i Greqisë.

Kujtojmë se vitet e fundit Federata Botërore e Peshëngritjes ka qenë në një kaos të vërtetë. Ish-presidenti i dorëhequr Tamas Ajan, përfundoi në qendër të skandaleve, i akuzuar se kishte mbuluar testet e dopingut me anë të parave, çështje për të cilën vetëm disa ditë më parë mori pezullim përjetësisht nga CAS. Përplasjet dhe skandalet në Federatën Botërore të Peshëngritjes kanë bërë që CIO ta lërë jashtë shtangën nga lista fillestare e Lojërave Olimpike 2028 që do të mbahen në Los Anxhelos.

ELEZ GJOZA – Edhe një herë tjetër kreu i FSHP-së, Elez Gjoza, theksoi vlerësimin që i bëhet Shqipërisë nga ndërkombëtarët, duke i besuar një eveniment të këtyre përmasave: “Dua të them që ky aktivitet u mor me pëlqimin e bordit ekzekutiv, për të cilin konkurruan 13 shtete të fuqishme. Shqipëria tashmë konsiderohet si partnere dhe iu besua ky event kaq i rëndësishëm dhe ja ku jemi sot, duke bërë një organizim perfekt.

Për çdo federatë sportive kanë ardhur si përfaqësues figurat më të mëdha dhe Tirana u quajt kryeqyteti i peshëngritjes botërore. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm që iu bë federatës sonë, por edhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh ndër të tjera Gjoza. Mbrëmjen e djeshme u zhvillua edhe ceremonia e mbylljes, me Shqipërinë që kalon me sukses një tjetër eveniment madhor, duke organizuar gjithçka më së miri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"