PESHËNGRITJE/ Sukses në kampionatet e moshave, trajneri Çela: Tradita e Elbasanit s’ndalet, Ferra gati për Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 21:42

PESHËNGRITJE/ Sukses në kampionatet e moshave, trajneri Çela: Tradita e Elbasanit s’ndalet, Ferra gati për Kombëtaren

Peshëngritja shqiptare disa ditë më parë shpalli më të mirët për moshat. Në radhët e meshkujve në rang ekipor triumfuan Tirana për U-17 dhe Teuta për U-20. Ndërkohë, në aspektin individual spikatën Franko Ferra dhe Ertjan Kofsha, të cilët u shpallën sportistët më të mirë të aktivitetit, respektivisht për të rinj dhe paratërinj. Por le të ndalemi te Ferra. Shtangisti i Elbasanit bëri një paraqitje fantastike, duke thyer plot gjashtë rekorde kombëtare. Ferra ngriti 144 kg në shkëputje dhe 175 në shtytje, duke merituar në fund edhe vlerësimet.

franko ferra

Trajneri që e stërvit atë çdo ditë dhe i cili ka besim se Ferra do të arrijë në majat më të larta të peshëngritjes, është Ilir Çela. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Çela vlerëson paraqitjet e sportistit të tij, të cilat kanë ardhur në rritje, madje duke thyer edhe rekorde. Trajneri zbulon se Ferra në muajin janar do t’i bashkohet edhe Kombëtares të të rriturve. “Ishte një garë emocionuese, ku pati rekorde dhe vlerësime. Si sportisti më i mirë i Shqipërisë për të rinjtë deri në 20 vjeç, shpallet Franko Ferra, me 144 në shkëputje dhe 175 në shtytje, duke thyer edhe gjashtë rekorde kombëtare. Kjo tregon që sportisti elbasanas jo vetëm që po e ruan traditën, duke dhënë forma të mira dhe suksese nga gara në garë, por me sa duket, edhe vendimi i federatës është që në muajin janar sportisti t’i atashohet ekipit kombëtar të të rriturve të Shqipërisë, çka përbën jo vetëm një sukses për këtë sportist, por edhe për qytetin e Elbasanit. Dihet që ky qytet ka një traditë në sportin e peshëngritjes, por duhet të theksojmë që edhe sportistët e tjerë u paraqitën me autoritet dhe patën cilësi të lartë sportive. Ne besojmë që Franko Ferra në garën më të afërt ndërkombëtare në Sarajevë do të jetë pa diskutim një medalist, por do të jetë edhe një nga sportistët më cilësorë të këtij turneu ndërkombëtar”, përfundoi Ilir Çela.

FERRA – Vetë sportisti u shpreh i lumtur për këtë arritje, e cila është në vazhdën e rezultateve të mira që ka pasur edhe më herët. Për gazetën ai pohon se rezultatet nuk vijnë rastësisht, por falë stërvitjes me trajnerin Çela, duke premtuar vendin e parë edhe në turneun e Sarajevës. “Kam dalë kampion për shkak të stërvitjes që kam bërë me profesor Çelën. Gjatë gjithë kësaj kohe jam stërvitur për t’i arritur këto rezultate të mira dhe puna po shpërblehet. Në garën që do të bëjmë në Sarajevë synoj vendin e parë dhe ju premtoj se do të nderoj flamurin kuqezi”, përfundoi shtangisti elbasanas. Turneu ndërkombëtar “Kriva Open Bosnje” do të zhvillohet në 14 tetor në Sarajevë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"