Peshëngritje/ Krenar Shoraj larg podiumit, renditet i teti në Doha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2019 | 13:54

Peshëngritje/ Krenar Shoraj larg podiumit, renditet i teti në Doha

Më konkurrimin e Krenar Shorajt, Kombëtarja shqiptare e shtangës uli dje siparin në “Qatar International Cup”, event kualifikues për në Lojërat Olimpike, që u mbajt në Doha. Ndryshe nga Erkand Qerimaj dhe Briken Calja të cilët fituan nga tri medalje secili, peshëngritësi vlonjat nuk arriti që t’i afrohet zonës së medaljeve.

krenar shoraj

Shoraj garoi në kategorinë e peshave 96 kg dhe e përfundoi dygarëshin me 334 kg gjithsej, duke u renditur në vendin e tetë. 151 kilogramë ishte rezultati i arritur në stilin e shkëputjes dhe 183 kilogramë në stilin e shtytjes. Kujtojmë se Shqipëria do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike Tokio 2020 me dy peshëngritës me normë. Briken Calja e ka të sigurt pjesëmarrjen, ndërsa shtangisti tjetër pritet të jetë njëri ndërmjet Qerimajt dhe Shorajt, por shkodrani duket shumë më i favorizuar për shkak se ka më shumë pikë olimpike dhe ka pasur një sezon shumë herë më të mirë.

Qerimaj ishte edhe sportisti më i suksesshëm i Kombëtares në këtë turne. Ai garoi në peshat 81 kg dhe regjistroi rezultatin 157 kg në shkëputje, duke marrë medalje bronzi. Në stilin e shtytjes ngriti 194 kg, duke përmirësuar me 1 kg rekordin e tij kombëtar, rezultat që i jep një tjetër medalje bronzi.

Me 351 kg në dygarësh, shkodrani fiton medalje argjendi. Ndërsa për sa i përket Caljes, ai garoi gjithashtu ditën e shtunë, ndonëse nuk paraqitej në formën e tij më të mirë, tek sa vuan një dëmtim në shpatull e qafë, ai arriti të rrëmbente tri medalje bronzi në kategorinë e peshave 73 kg, duke e mbyllur vitin 2019 me 13 medalje ndërkombëtare (3 europiane, 1 botërore dhe 9 në grand prix). Kështu peshëngritja konfirmohet edhe një herë tjetër si sporti më i suksesshëm në arenën ndërkombëtare për Shqipërinë.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"