Peshëngritje/ Ish-presidenti: Shtanga drejtohet nga të paaftë, Leonard Toska është vegël që përdoret për të përgojuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 13:47

Peshëngritje/ Ish-presidenti: Shtanga drejtohet nga të paaftë, Leonard Toska është vegël që përdoret për të përgojuar

Federata Shqiptare e Peshëngritjes gradualisht po u drejtohet zgjedhjeve, të cilat parashikohen të mbahen në nëntor. Siç dihet, viti 2020 është zgjedhor për federatat e ndryshme sportive në vend, pasi shënon afatin e fundit të një cikli olimpik. Në komunitetin e shtangës ka filluar të nxehet atmosfera, pasi në skenë ka dalë ish-presidenti Elez Gjoza, i cili pritet të rikandidojë për të marrë sërish drejtimin e shtangës. Gjoza, siç dihet, dha dorëheqjen në vitin 2018 pas skandaleve të shumta me dopingun që përfshinë peshëngritjen shqiptare.Elez Gjoza

Pas deklaratave të trajnerit të Shtërmenit, Leonard Toska, kur ky i fundit u shpreh hapur që rikthimi i Gjozës do të ishte një hap mbrapa për shtangën, ka ardhur edhe reagimi i ishpresidentit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza i përgjigjet kështu trajnerit shtërmenas: “Janë njerëz që futen nga federata për të përgojuar nëpër media, por unë nuk mund të bie në nivelin e tyre. Leonard Toska vetëm trajner kombëtareje nuk mund të jetë. Madje, ju tregoj një rast gjatë kohës kur isha në krye të federatës, teksa gjatë një aktiviteti më është drejtuar presidenti i Federatës Europiane duke më thënë: ‘Ç’është ky trajner që keni marrë me vete?’ Pra, ai nuk është asgjë veçse një vegël e presidentit aktual që përdoret për të hedhur baltë mbi ish-presidentët. Por, nuk dua të merrem me një njeri të tillë sepse ul vlerat e mia”, shprehet Gjoza, duke thumbuar hapur Toskën. Ish-drejtuesi i shtangës më pas sulmon edhe federatën, duke deklaruar se në këtë institucion bëjnë pjesë njerëz të paaftë: “Shikoj që aktualisht federata është nën drejtimin e njerëzve të paaftë.

Madje, jo vetëm federata, por e gjithë struktura. Gjatë kohës kur unë e kam drejtuar FSHP-në, ky institucion përbëhej nga figura të peshëngritjes, si Asim Belinova, Kreshnik Leka apo Gudar Beqiraj, ndërsa sot në federatë janë futur njerëz të biznesit personal të presidentit. Mendoj që këto gjëra nuk shkojnë. Gjatë kohës kur kam qenë unë, është investuar shumë për sa i përket bazës materiale, ndërsa në këto vite nuk është bërë asgjë në këtë aspekt. Nuk më vjen aspak mirë që një sport me tradita si peshëngritja të përfundojë duke u drejtuar nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me shtangën. Ky është një sport individual dhe duhet patjetër që të drejtohet nga njerëz që i përkasin peshëngritjes. Aktualisht, as presidenti dhe as sekretari i përgjithshëm nuk kanë qenë sportistë”.Elez gjoza

Në fund Gjoza flet edhe për mundësinë e rikandidimit, ku thotë se po e mendon diçka të tillë, ndërsa rikthehet të komentojë edhe vendimin e dorëheqjes: “Do të vendos kur ta shikoj të arsyeshme, por sigurisht që nuk mund të ma ndalojë njeri kandidimin, pasi jemi në demokraci. Kështu që, duke parë gjithë këtë situatë, mendoj se duhet të ndryshojë diçka. Nuk e kam kristalizuar ende plotësisht mendimin për të kandiduar, por shumë shpejt do të marr një vendim zyrtar. Siç e dini, unë dhashë dorëheqjen për arsye të Romela Begajt. Ai ishte një veprim moral, por duhet të dini që edhe presidenti që është tani, ashtu sikurse edhe ata që kanë qenë më parë, nuk kanë në dorë dopimin e peshëngritësve, sepse bëhet fjalë për një sport individual. Sportisti në një moment të caktuar mund të përdorë një medikament dhe del pozitiv.

Por, tani është arritur një ndërgjegjësim edhe nga vetë shtangistët që nuk punohet më me substanca të ndaluara. Tani dua të fokusohem në idetë e mia, të cilat i kam shumë të qarta, për ta dërguar përpara këtë sport. Kam shumë miq nga komuniteti i peshëngritjes që më mbështesin dhe për këtë do ta shikoj mundësinë e rikandidimit. Siç dihet, zgjedhjet janë me numra dhe unë me numrat jam shumë mirë, sepse kam bërë dy universitete dhe s’jam analfabet”, përfundon Gjoza.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"