Calja premton medalje olimpike: Dua tripletën edhe në Europian, ja çfarë më ka motivuar në këtë periudhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 15:21

Calja premton medalje olimpike: Dua tripletën edhe në Europian, ja çfarë më ka motivuar në këtë periudhë

Ndonëse i gjithë sistemi sportiv botëror u kushtëzua për shkak të pandemisë globale të Koronavirusit, me gara të shtyra dhe të anuluara, Briken Calja vijon rregullisht të stërvitet, duke mos qëndruar asnjë ditë larg shtangës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kampioni i Europës në peshëngritje flet për përgatitjet dhe gjendjen e tij aktuale: “Momentalisht e kam ulur disi ngarkesën me ushtrimet, por mund të them që gëzoj një formë të mirë pavarësisht situatës me virusin ‘COVID-19’. Po stërvitem rregullisht pa shkëputje. Problemet e kësaj situate janë koha e gjatë e përgatitjeve, duke qenë se garat janë shtyrë, si dhe shtimi i kostove.briken calja

Është një periudhë jo e mirë për sportin, por do mundohemi të bëjmë më të mirën dhe ta kalojmë edhe këtë situatë të vështirë. Më vjen keq vetëm për faktin se gëzoja një formë të shkëlqyer, ku theva dy rekorde në kampionatin kombëtar në peshën 81 kg, rezultate që në peshën time 73 kg, janë rekorde europiane. Tani e vetmja gjë që më mbetet është që të punoj fort, për të marrë tripletë medaljesh në Kampionatin Europian. Gjithashtu synoj vendosjen e rekordit europian”, tregon Calja, i cili më pas flet edhe për vështirësitë e një periudhe kur eventet kryesore janë shtyrë, ndërsa zbulon se nga e merr motivimin për të vazhduar përpara: “Motivohem falë egos që kam, ku e gjithë vëmendja ime është të thyej rekordin europian dhe të marr medalje.

Kjo më jep shtysë dhe forcë për të punuar çdo ditë. Janë tri vite rresht që punoj për ta realizuar sërish të njëjtin objektiv. Kam shumë besim që do t’ia dal përsëri”. Briken Calja ka deklaruar hapur që do t’i dhurojë Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori. Edhe pse Lojërat Olimpike janë shtyrë për në verën e ardhshme, Calja shprehet se do ta mbajë fjalën: “Unë nuk jam tërhequr në asnjë moment dhe premtimet që kam bërë gjithnjë i kam mbajtur.briken-calja-1-1

U qëndroj deri në fund deklaratave të dhëna, sepse i kam të gjitha kapacitetet për t’ia arritur”. Kujtojmë se Shqipëria do të paraqitet në Lojërat Olimpike me 2 peshëngritës me normë, ndërsa Briken Calja, falë rezultateve të tij të shkëlqyera, e ka siguruar kualifikimin. 30-vjeçari e mbyll prononcimin e tij duke falënderuar personat që e kanë mbështetur në këtë ecuri fantastike, ndërsa edhe një herë evidenton indiferencën e shtetit shqiptar: “Ndonëse më mungon mbështetja nga shteti shqiptar, ia kam dalë me mbështetjen e familjes, klubit të Tiranës, Federatës së Peshëngritjes dhe të gjithë njerëzve që më rrethojnë.

Ndërsa ju e dini shumë mirë që nga ana e Ministrisë së Sporteve mungon tërësisht interesi për fitimin e medaljeve. Dua të falënderoj stafin tim për 17 medaljet ndërkombëtare të fituara këto 3 vitet e fundit. Të vetmit që kanë kontribuuar në këto arritje janë trajneri im personal Gerald Toska, trajneri i ekipit të Tiranës, Sokol Bishanaku, njeriu i heshtur Vanin Toska si dhe Dashamir Xhika. Këta njerëz kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sukseset e mia”, përfundon Calja.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"