PESHËNGRITJE/ Botërori, Shqipëria debuton sot në Uzbekistan me Velin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2021 | 9:49

PESHËNGRITJE/ Botërori, Shqipëria debuton sot në Uzbekistan me Velin

Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes do të bëjë sot debutimin në Kampionatin Botëror, që ka startuar që prej datës 7 dhjetor në Tashkent të Uzbekistanit.

EVANGJELIA VELI

Ajo që do të hapë garat e sportistëve tanë është Evangjelia Veli, e cila do t’i masë forcat në kategorinë e peshave 55 kg. 30-vjeçarja do të ngjitet në pedanë rreth orës 12:00 me të Shqipërisë, teksa do të jetë pjesë e Baterisë A.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Veli bëri të ditur se ka një dëmtim të vogël në këmbë, gjë që mund ta kushtëzojë disi paraqitjen e saj. Megjithatë, peshëngritësja ishte e qartë në synimet e saj, teksa deklaroi se synon zonën e medaljeve.

Më pas, më 10 dhjetor do të jetë radha për Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn, dy emra të mëdhenj të shtangës shqiptare, nga të cilët pritshmëritë janë shumë të larta, duke iu referuar paraqitjeve dhe formës fantastike që kanë treguar në stërvitje.

Si shtërmenasi ashtu edhe shkodrani do të garojnë në peshat 73 kg, teksa do të jenë pjesë e Baterisë A, garat e së cilës nisin rreth orës 15:00.

Ndërsa më 13 dhjetor është radha për Daniel Godellin dhe Krenar Shorajn, të cilët do të konkurrojnë në Baterinë B të peshave 89 kg. Nga këta shtangistë pritshmëritë e FSHP-së janë një vend të top-10. Gara e tyre do të nisë rreth orës 12:30.

KALENDARI PESHENGRITJE

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"