Peshëngritja rikthehet te medaljet, Çerçizi shpallet nënkampion i Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 12:49

Peshëngritja rikthehet te medaljet, Çerçizi shpallet nënkampion i Europës

Ka nisur në mënyrën më të mirë të mund shme për Shqipërinë Kampionati Europian për të rinj dhe U23 që po zhvillohet në Durrës. Është Arbër Çerçizi ai që në peshën 62 kg arriti të renditet i dyti në Europë për të rinj në shkëputje dhe në dygarësh. Ajo që ia shton edhe më shumë interesin dhe emocionet kësaj gare është pjesëmarrja në të e dy peshëngritësve shqiptarë. Bëhet fjalë për Roalb Kuqja dhe Arbër Çerçizin.

cercizi

Kuqja ishte sportisti me moshën më të re në të dyja bateritë, përkatësisht i ditëlindjes 2000. Performanca e tij ishte e kënaqshme, por jo aq renditja. Në shkëputje u rendit i trembëdhjeti duke ngritur 90 kilogramë me dy tentativa të suksesshme. Në shtytje u rendit i dymbëdhjeti, me 110 kilogramë dhe dy tentativa të suksesshme. Në dygarësh 200 kilogramë për të, por ajo që ka më shumë rëndësi për të është e ardhmja pasi është vetëm 17 vjeç.

Ajo që ngjalli shumë emocion dhe mbajti nën ankth dhe emocion të pranishmit e shumtë në shkallët e pallatit të sportit “Ramazan Njala” ishte gara e Çerçizit. Dueli i tij i gjatë me bjellorusin Henadz Lapsteu dhe herë pas here edhe me azerin Kanan Khalilov e bënë shumë emocionuese garën. Në shkëputje, dueli ishte tërësisht mes Çerçizit dhe Lapsteut. Çerçizi i nisi provën e parë me 120 kg dhe e mbyll me sukses.

Të dytën me 126 kg, po ashtu arriti ta mbyllë me sukses dhe në të tretën 131 kg përmbylli me sukses të tria provat. Ndërkaq, bjellorusi Lapsteu me 132 kg, +1 kg më shumë se shqiptari e siguron të artën. Ovacionet dhe lëvizjet plot karizëm të shqiptarit në pedanë e bënë elektrizuese garën. Stilin e shtytjes Çerçizi e nis me pesha më të vogla se një pjesë e mirë e rivalëve.

Konkretisht fillon me 138 kg dhe rezulton e suksesshme. Në tentativën e dytë me 142 kg Çerçizi nuk ia del dot. Në të tretën me 143 kg ia del, por jo aq sa për t’u rreshtuar në tre vendet e para, pasi këtu renditet i katërti. Vendi i parë këtu i takon sërish bjellorusit Henadz Lapsteu me plot 158 kilogramë të ngritura.

Në dygarësh, Arbër Çerçizi renditet i dyti me plot 274 kilogramë të ngritura, duke rrëmbyer kështu medaljen e dytë të argjendtë. Në fund ka festë për të gjithë të pranishmit, stafin dhe sportistët e kombëtares tonë, por mbi të gjitha për atë që u rendit i dyti në Europë dhe ngriti me krenari flamurin kuqezi, Arbër Çerçizi.

ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"