“Peshëngritja po shkatërrohet”, Apolonia sulm frontal Elez Gjozës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 22:15

“Peshëngritja po shkatërrohet”, Apolonia sulm frontal Elez Gjozës

Pas akuzave të forta nga ish-trajneri i Kombëtares Leonard Toska dhe të trajneres elbasanase, Eglantina Çuni, në drejtim të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, një tjetër klub denoncon mënyrën e drejtimit në institucionin e shtangës. Këtë herë është klubi Apolonia që sulmon drejtpërdrejt kreun e FSHP-së, Elez Gjoza, për menaxhimin që po i bën federatës.

elez gjoza

Baftjar Abazaj, inspektor i sporteve të rënda në Klubin Apolonia, me anë të një deklarate për “Panorama Sport” ka sulmuar hapur Gjozën duke e konsideruar një hap të madh mbrapa për shtangën marrjen e drejtimit të federatës nga ana e tij. Përfaqësuesi i ekipit fierak në deklaratën e tij shprehet se Gjoza po shkatërron peshëngritjen shqiptare me mënyrën e tij të të drejtuarit. Ndërsa i bën gjithashtu apel të ndalë hakmarrjet personale ndaj trajnerëve dhe sportistëve.

DEKLARATA E APOLONISË – “Klubi Apolonia është shumë i shqetësuar për situatën në FSHP dhe unë si një ish-anëtar i komitetit drejtues të kësaj federate, si dhe në zgjedhjet e fundit konkurrova dhe u rendita i 8-ti, ndërsa u zgjodhën 7 sipas statutit të federatës. Kur largohet një apo me shumë anëtarë, plotësohet me të radhës sipas votave të marra. Gjë që kjo federatë nuk po e bën. Janë larguar 4 antar të komitetit drejtues nga 7 që ka FSHP gjithsej. Por, sipas ligjit të sporteve dhe statutit të federatës kur janë më pak se gjysma, komiteti nuk funksionon dhe çdo vendim qe merr është nul. Por, presidenti i kësaj federate nuk do që t’i zëvendësojë sepse i ka kundër tij.

Ai do që ti bëjë vetë të gjitha, si trajnerin, anëtarin e komitetit, gjyqtarin dhe këshillin e trajnerëve, duke na thënë: ‘topi është imi dhe penalltinë e gjuaj unë’, prandaj kjo federatë po shkatërrohet. Dua t‘i them këtij presidenti që hedh baltë mbi punën e bërë nga ish-presidenti i mëparshëm dhe ish-komiteti drejtues se për dy vjet e morën federatën të zhytur me borxhet që kishte z.Gjoza.

Puna e parë që bëri komiteti drejtues bashkë me presidentin, ishte ngritja e grupeve të punës për çdo anëtar. Ngritëm këshillin e trajnerëve, duke votuar të gjithë trajnerët me votim të fshehtë dhe jo t’i caktonim. Çdo vendim për përzgjedhjen e ekipit kombëtar dhe trajnerët e vendoste ky këshill dhe ia sillte komitetit bashkë me presidentin. Po kështu dhe për pagesat e sportistëve dhe trajnerët vendoste ky këshill sipas rezultateve dhe jo presidenti siç po bëhet sot. Për çdo aktivitet kombëtar dhe ndërkombëtar bëhej trasparenca e grandit bashkë me këtë këshill. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan 6 kampionate kombëtare dhe kupa si dhe 6 aktivitete ndërkombëtare si Botërorë, Europianë, Lojëra Mesdhetare dhe Olimpiada Rinore, aktivitete ku morën pjesë peshëngritësit tanë, të cilët arritën të fitonin plot 43 medalje.

I jepej shpërblim çdo sportisti për rekordet e thyera, në një kohë kur grandi ishte rreth 100 milionë lekë të vjetër, ndërsa sot granti është 150 milionë lekë dhe kjo federatë nuk bën trasparente se sa lekë janë shpenzuar. Gjatë kohës që ne drejtonim u zhvillua trajnim për kualifikimin e trajnerëve nga Federata Botërore e Peshëngritjes u zhvilluan seminare për luftën antidoping me të gjithë trajnerët, sportistët kryenin vizitat mjekësore falas nga federata.

Dua t’i them këtij presidenti: Çfarë detyre ka sekretari në federatë, i cili paguhet nga granti i FSHP-së? Pse nuk merret me punët e federatës për dhe me gjithë problemet e sportistëve siç ishte rasti i mosinteresimit për këto talente që do të merrnin pjesë në Europian që t’i ndihmonte për t’u regjistruar në sistemin e antidopingut “ADAMS”. Por, sekretarët i heq dhe i vendos presidenti sipas qejfit.

Ky është një turp të djegësh këto talente në këtë formë. Kur drejtonim ne, merrnin pjesë në garë mbi 100 pjesëmarrës nga të gjitha ekipet dhe garat jepeshin ‘live’ në tv, ndërsa kampionatet i zhvilluam në disa qytete të vendit, si në Cërrik, Elbasan, Tiranë etj, pasi në këto qytete kanë dalë me dhjetëra kampionë. Për sportistët kampionë jepej trajtim nga 150 deri në 650 mijë lekë e këtë e propozonte këshilli i trajnerëve dhe jo presidenti. Për çdo garë vinte njoftimi te klubet në kohën e duhur dhe u dërgohej buletini i garave për çdo ekip e individ, jo si sot që duhet t’i kërkosh federatës mbi dhjetë herë për njoftim. Nuk dërgojnë shkresat për kampionate sipas kalendarit, ndërsa garat kthehen në kupa ‘Gudar Beqiraj’. U kërkoj të kthejnë emërtimin sepse nuk paguajnë dot sportistët udhëtimin, por edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion nga federata.

Lexojmë nëpërmjet shtypit për dënimin e trajnerit të Apolonisë dhe sportistit, ndërsa në klub s’ka ardhur asnjë vendim nga komiteti drejtues i federatës. Trajneri dënohet vetëm sepse i doli kundër presidentit. Klubi Apolonia kërkon që të vihet dorë mbi këtë federatë dhe të plotësohet komiteti drejtues me anëtarët e radhës që janë votuar nga asambleja. Presidenti të mos fshihet mbas politikës e të mos mburret me emrat e titullarëve, por të punojë për këtë sport që kanë bërë emër në mbarë botën. Të heqë dorë nga hakmarrjet personale si për trajnerët dhe sportistët, dhe të mos e shkatërrojë më këtë sport burrëror të Shqipërisë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"