Peshëngritësi ironizon duke i dalë në krah boksierit Çelaj, Calja: Shpërblimi i kampionit kushton sa mëngjesi i… ministres

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 13:46

Peshëngritësi ironizon duke i dalë në krah boksierit Çelaj, Calja: Shpërblimi i kampionit kushton sa mëngjesi i… ministres

Boksieri Klevis Çelaj u shpall kampion në kategorinë “Elite” për të rritur për peshën 52 kg në kampionatin kombëtar të mbajtur në kryeqytet në datën 7 nëntor. Kampioni nga qyteti i Vlorës stërvitet në kushte tepër të vështira dhe jeton mes varfërisë, ku e ka tepër të vështirë për të siguruar edhe bukën e gojës.

celaj

Megjithatë, përtej vështirësive të mëdha ai arriti të shpallej kampion i Shqipërisë. Por kjo arritje në vend që ta gëzonte dhe ta motivonte për të ecur edhe më shumë, i jep një goditje të rëndë, më të fortë se ato që merr në ring, të cilat i ka përballuar me sukses. Çelaj u shpërblye me vetëm 14 mijë lekë për titullin kampion që fitoi rreth dy javë më parë.

Një shifër e turpshme që tregon gjendjen e mjerueshme që kalon sot sporti në vendin tonë. Në krah të boksierit vlonjat ka dalë edhe peshëngritësi elitar Briken Calja. Ky i fundit nëpërmjet një postimi në faqen e tij në “Facebook” shpreh indinjatën për këtë situatë, duke ironizuar hapur me Ministren e Sportit, Besa Shahini.

calja

“Shpërblimi i kampionatit kombëtar të boksit kushton sa mëngjesi i hotelit ku fle ministrja”, thuhet në foton e publikuar nga Calja, që shoqërohet gjithashtu me një tjetër mesazh ironizues: “Realiteti i sportit shqiptar. Punë e jashtëzakonshme e Ministrisë dhe Federatës. Bravo! Përfaqësim dinjitoz në parlament nga deputetët e sportit”. Kujtojmë se Briken Calja e ka kaluar në kurrizin e tij trajtimin skandaloz që u bëhet sportistëve kampionë në vendin tonë, ku ndonëse i ka dhuruar Shqipërisë medalje në kampionate europiane dhe botërore, ai ka hequr një kalvar të vërtetë vuajtjesh për të marrë shpërblimet që i takojnë me ligj.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"