Pesë problemet e Barçës, mes tyre është dhe Manaj/ Klubi kërkon ta sistemojë, ja dy mundësitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 20:45

Pesë problemet e Barçës, mes tyre është dhe Manaj/ Klubi kërkon ta sistemojë, ja dy mundësitë

Ditëve të pushimit po u vjen fundi dhe më 4 korrik Barcelona do të nisë përgatitjet për sezonin 2022-2023. Të paktën në ditët e para të stërvitjes, trajneri Ksavi pritet të ketë në dispozicion të tij të njëjtën skuadër që mbylli sezonin e kaluar. Por atij grupi lojtarësh do t’i bashkohen dhe pesë emra të tjerë që kishin luajtur në formë huazimi në klube të tjera në Europë. Mes tyre është dhe sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Rei Manaj.

manaj

Fansiko Trinkao, Injaki Penja, Miralem Pjaniç dhe Aleks Kojado janë emrat e tjerë që kanë mbyllur huazimin dhe do të jenë nën urdhrat e trajnerit Ksavi Hernandez. Disa do të jenë më të mirëpritur se disa të tjerë. Por në tërësi rikthimi i tyre në përbërjen e ekipit do të jetë një barrë më shumë për financat e klubit. Gazeta spanjolle “AS” i ka bërë një përmbledhje situatës me huazimet te Barça, duke e vënë theksin te problemet që ato mund të shkaktojnë në klub, duke qenë se mes tyre ka dhe lojtarë që paguhen me shuma të konsiderueshme si rasti i Miralem Pjaniç.

REI MANAJ – Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, sulmuesi kuqezi do të qëndrojë në Itali, por me fanellën e Salernitanës. Nëse nuk arrihet gjë me këtë klub, në Spanjë është Elçe që ka shfaqur interes për të, teksa e sheh Manajn si zëvendësuesin e Lukas Boje. Manaj iu bashkua Barcelonës për shumën e 700 mijë eurove, teksa tani katalanasit kërkojnë diku te 3 milionë euro për shërbimet e tij.

Në sezonin e kaluar ai u huazua te Specia, ku në 30 ndeshje mundi të realizonte 5 gola. Por në fund të sezonit italianët vendosën të mos e aktivizojnë klauzolën e blerjes së kartonit të tij, pasi shuma prej 2.7 milionë eurosh u cilësua e papërballueshme nga klubi ligur. Si Salernitana dhe Elçe kanë shfaqur interes për sulmuesin tonë, por për momentin nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete për të.

MIRALEM PJANIÇ – Boshnjaku është një rast mjaft i ndërlikuar si në planin sportiv ashtu dhe atë ekonomik. Ai është 32 vjeç dhe ka një kontratë deri në vitin 2024 me Barçën që shpenzoi 60 milionë euro për ta marrë nga Juventusi dy se zone më parë. Sezonin që lamë pas u huazua te Beshiktashi, që pagoi 3 nga 9 milionë eurot pagë të tij. Por gjigantët e Stambollit vendosën të mos e mbajnë më në skuadër atë. Për momentin Olimpiku i Marsejës duket i interesuar, por paga e lartë e tij i tremb të gjithë.

TË TJERËT – Edhe lojtarët e tjerë nuk janë pak “problematikë” për klubin. Trinkao ka një kontratë deri në vitin 2025 dhe pas një aventure jo fort bindëse tek Uolverhemptoni ai është kthyer, me Ksavin që pritet ta vërë në provë në fazën përgatitore. Katalanasit duan 18 milionë euro për të. Ndërkaq, Barça po punon për të larguar nga skuadra edhe Aleks Kojadon, teksa portieri Injaki Penja duket se ka bindur më shumë nga të gjithë dhe pritet të qëndrojë në klub, natyrisht në varësi të lëvizjeve të Barçës me portierin e dytë, Neto.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"