Pesë penallti në derbin 17 Nëntori-Dinamo/ Flasin protagonistët pas 40 vitesh: Protestuam, por Arseni veproi drejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2020 | 21:15

Pesë penallti në derbin 17 Nëntori-Dinamo/ Flasin protagonistët pas 40 vitesh: Protestuam, por Arseni veproi drejt

UVIL ZAJMI

Nuk kam bërë hulumtime, por nuk kam dëgjuar, parë e as lexuar që në një ndeshje, një arbitër të ketë dhënë 5 penallti. Sigurisht një rast i rrallë. Bashkë me 9 golat, ka edhe një detaj.

dinamo-17 nentori arbitrat (1)

Arbitri i FIFA-s, A. Hoxha, para një takimi (Arkiv BQB)

Vetëm dy gola kanë për autorë sulmues, Çobanin e Ballgjinin. Të tjerët u shënuan nga mesfushorë e mbrojtës: Hyseni, Vladi, Mema, Bregu, Zëri, u akorduan 5 penallti, të gjitha brenda 90 minutave. Tre për Dinamon dhe dy për 17 Nëntorin. Dy në pjesën e parë, 3′ Ballgjini gjuan jashtë, Vlani shënon në të 45′ dhe tre gola të tjerë u realizuan në të dytën:

arbitrat, dinamo-17 nentori (1)

Zëri gol në të 61′; në të 65′ Mema godet pret Luarasi; Zëri shënon në të 85′, që ishte dhe goli i pestë, vendimtar ky, pasi fiksoi rezultatin final 5-4. Nga ajo sfidë nuk jetojnë: Vladi, Minga, Luarasi, Hazbiu, Zëri, asistenti K. Pogaçe, trajneri E. Shehu. Dhe, në mungesë të një VAR-i për kohën, ja si reagojnë disa nga futbollistët. Si e gjykojnë sot pas 40 vitesh ata ndeshjen dhe momentet e penalltive legjendare?

Shyqyri Ballgjini: Kam qenë protagonist në atë takim

Shyqeri Ballgjini

“Atë takim e risjell për disa arsye: Një natë para ndeshjes bashkë me Targën dhe Ibërshimin ishim në dasmën e një miku tonë, që martoi motrën. Kam gjuajtur penalltinë e parë, jo i përqendruar, e humba. Por, kam marrë të fundit, kur Hyseni shkaktoi faull ndaj meje. Kam realizuar golin e dytë dhe kam dhënë asist për Bregun, që shënoi fluturimthi golin e katërt. Të tria penalltitë i kam marrë unë dhe të gjithë golat e Dinamos janë realizuar nga pasimet e mia”.

Artur Çobani: Duhet të jepte edhe një tjetër për 17 Nëntorin

Artur Cobani

“Kam shënuar golin e parë, kujtoj nga porta e qytetit. Lidhur me penalltitë, ato kanë qenë të pesta. Madje, shtoj se Arseni duhet të jepte edhe një tjetër për 17 Nëntorin, por e dha goditje indirekte brenda zonës. Kujtoj se pas të parës që u humb, emocionet, përgjegjësia për të mos gabuar ishin të mëdha. Mendoni, humbi edhe Mema, një specialist i tyre”.

Mujo Targaj: Unë nuk mund të gjuaja para Zërit e Ballgjinit

TARGA

“Te Dinamoja në atë kohë penalltitë i gjuanin Zëri, Ballgjni dhe Përnaska, por ky i fundit nuk luante pasi ishte i dëmtuar atë ndeshje. Shyqi e humbi të parën. Ishte Zëri që realizoi më pas. Ai takim ka qenë dita e mbrojtësve, sepse nga pika e bardhë shënoi Besim Vladi, por edhe Hyseni, madje dy gola”.

Andrea Marko: I gjykoj të sakta

Andrea Marko

“Para ndeshjes, në analizë, trajneri Dauti i tha Ballgjinit: ‘Do ta gjuash ti penalltinë nëse do të jepet një e tillë’. Në pushim nuk u diskutua për atë të humburën, as kush do të gjuajë, të sigurt se nuk do të kishte të tjera. Nuk ishim mësuar me një numër aq të madh penalltish të akorduara në një 90-minutësh. Pastaj, Dinamo-17 Nëntori kanë prodhuar gjithmonë gola. Dhe, fituese ka qenë gjithmonë Dinamoja”.

Leko Bregu: Spektakolar goli im me kthesë

Leko Bregu

“Nuk kam gjuajtur penallti, por kam realizuar një gol të bukur. Kur Ballgjini harkoi, kam goditur menjëherë me kthesë brenda zonës, nga porta jugore dhe i befasova të gjithë. Ishte goli i barazimit 4-4. Penalltitë? Them që janë dhënë me kurajë nga Arseni”.

Bujar Sharra: Zëvendësova Nallbanin në atë takim

Bujar Sharra

“Në atë takim kam luajtur unë, pasi Nallbani ishte i dëmtuar në dorë. Penalltinë e parë Ballgjini e gjuajti fort jashtë mbi traversë. Ndërsa dy të tjerat i goditi me mjeshtëri Zëri, aq sa kujtoj se u bë kohë e gjatë që mendoj se të gjitha ishin penallti”.

Seit Hyseni: Unë shkaktova faull ndaj Ballgjinit

Seit Hyseni

“Atë ndeshje e kujtoj sepse kam realizuar dy gola, pa gjuajtur nga pika e bardhë e penalltisë. Por, kam shkaktuar një të tillë kur ndërhyra ndaj Ballgjnit në fund të ndeshjes. Nuk e kujtoj saktë, them nga krahu i portës jugore, por që u dha penallti nga arbitri. Edhe mund ta kisha evituar. Ishim shumë të lodhur dhe bënim veprime që nuk i komandon dot”.

Millan Baçi: Tek e fundit kemi protestuar

Millan Baci

“Ajo e fundit ishte e diskutueshme dhe për të kemi protestuar. Nuk ishim mësuar në çdo 20 minuta të jepej një penallti. E habitshme ishte për të gjithë ne. E kemi diskutuar në dhomat e zhveshjes, edhe gjatë javës në stërvitje. Kujtoj se as në TV nuk i kemi parë më vonë”.

Sulejman Mema: Me Luarasin ishim miq, ma dinte krahun

Sulejman Mema

“Atë çfarë mund të them është se pse nuk e gjuajti Vladi edhe penalltinë e dytë. Ma lanë apo e mora unë? Nuk e kujtoj këtë, duke e ditur se Luarasi ma njihte krahun që kur luanim bashkë te Shkëndija dhe ai ma priti. Por, edhe kam realizuar një gol të bukur direkt nga një goditje dënimi. Penalltitë? Ka kaluar shumë kohë, vështirë të jap një gjykim objektiv sot”.

Edmond Gëzdari: I kërkoja të më jepte një penallti

Mond Gizdari

Goleadori Gëzdari sot e kujton kështu: “Në atë ndeshje nuk kam gjuajtur penallti, edhe pse isha golashënues i skuadrës. Na përfshiu një ankth, pasi u humb e para. Gjatë lojës i thosha Arsenit të më jepte një penallti. ‘Shtrihu në zonë’, më përgjigjej ai, sigurisht me humor.”

PANORAMASPORT.AL

 

LEXO EDHE:

Pesë penallti në derbi, kur Arsen Hoxha ndryshonte historinë e arbitrimit shqiptar

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"