Pesë ndeshje radhazi në Shkodër, Vllaznia ka aleat… kalendarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2021 | 12:03

Pesë ndeshje radhazi në Shkodër, Vllaznia ka aleat… kalendarin

Vllaznia ndihet e favorizuar në 5 përballjet e ardhshme në kampionat. Duke llogaritur edhe përballjen e kthimit për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë ndaj Pogradecit, kuqeblutë do të luajnë 5 përballje në fushën e tyre dhe vetëm një në transfertë. Ky, padyshim është një lajm i mirë për të, pavarësisht se kjo nuk është gjithçka.

VLLAZNIA

E rëndësishme fillimisht është që Vllaznia ta nisë me një fitore ndaj Pogradecit, pavarësisht se duket se gjithçka për sa i përket kualifikimit duket e kryer. E më pas, atë ndaj Kastriotit për kampionat për të mbyllur fazën e parë të sezonit. Por në katër takimet e ardhshme të fazës së dytë të kampionatit Vllaznia do të zhvillojë 3 sfida në shtëpi dhe një jashtë saj.

Ndoshta pas këtyre javëve Vllaznia mund të ketë të tjera pozita. Vllaznia mund të jetë krejt ndryshe nga kjo që është aktualisht. Në fazën e dytë, në katër takimet Vllaznia do të ketë përballë Laçin, Partizanin e Skënderbeun në shtëpi, ndërsa do të luajë në javën e dytë të kësaj faze me ekipin e Teutës. Vllaznia duket e favorizuar, por kjo mbetet të shikohet takim pas takimi.

EKIPI VIJON TË PLOTËSOHET

Vllaznia vijon përgatitjet, pavarësisht se kampionati do të jetë pushim deri në fundjavën tjetër. Gjithsesi, kuqeblutë kanë vijuar edhe dje përgatitjet e tyre. Me ekipin është bashkuar edhe Hakaj që një ditë më parë ka pasur disa probleme të vogla me fytin. Ndërsa, nga ana tjetër, skuadra tashmë po plotëson gjithë organikën e saj me rikthimet e disa futbollistëve nga dëmtimet.

Mbrojtësi malazez i afruar në merkaton e verës, Darko Bulatoviç, po merr ngarkesën e duhur fizike tashmë. Dëmtimi që e la jashtë skuadrës që në fillim të sezonit tashmë në javët që vjen do të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar. Bulatoviç mund të aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, por edhe si qendërmbrojtës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"