Pesë gola në miqësore, Apolonia turpërohet nga Orikumi. Fierakët vazhdojnë me çudirat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2017 | 18:50

Pesë gola në miqësore, Apolonia turpërohet nga Orikumi. Fierakët vazhdojnë me çudirat

Çudirat nuk kanë fund për Apoloninë. Pëson 3 gola në harkun e 4 minutave me Tomorin, fiton ndaj Bylisit që nuk njihte humbje për 8 javë, por “thyhet” nga Orikumi. Dhe të tilla rezultate, i arrijnë në mes të Fierit. Pas stadiumit “Loni Papuçiu”, tashmë edhe aneksi i tij është kthyer në makth rezultatesh bardhejeshilëve.

Apolonia

Skuadra që kryeson grupin B në Kategorinë e Dytë, ka sfiduar dje rrugën e vështirë dhe motin e keq, duke i shënuar 5 gola në transfertë Apolonisë. Një takim që është luajtur në njëfarë mënyre vetëm në pjesën e parë, pasi në të dytën, vendësit ishin sa për numër në fushë, pasi vetëm ecnin në fushë. Kjo ka bërë që këtë herë të mos mbajnë as nervat e Kashamit, një trajner që përgjithësisht karakterizohet nga qetësia. Për t’u ndalur te pasqyrimi i ndeshjes, fierakët edhe pse e nisën mirë, me kalimin e minutave humbën terren.

Oriku, skuadra e qytetit të Orikumit, shfaqet më e organizuar, ndonëse në fushë ka hedhur vetëm gjysmën e formacionit bazë. Hazizi dhe Çaushaj krijojnë “panik” në portën e Çakos, ndërsa fierakët përpiqen me anë të Dimos dhe Krasniqit. Është Albano Çaushaj që ka shënuar golin e parë në minutën e 40-të, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi nga rreth 20 metra. Në pjesën e dytë, skuadrat bëjnë ndryshime të shumta në formacion dhe Apolonia thuajse nuk ekziston në fushë.

apolonia oriku

Oriku është i pamëshirshëm dhe shënon edhe 4 gola të tjerë, me autor Shehajn nga pika e bardhë, në minutën e 54-t, E.Hoxhën në të 59-ën minutë dhe dopietën e Llojajt në minutat 61 e 65. Pavarësisht se asnjëri nga trajnerët nuk ishte i interesuar për rezultatin, me shumë të drejtë Ndriçim Kashami ka qenë fare i pakënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij, sidomos për indiferencën e theksuar gjatë pjesës së dytë. Ndërsa Oriku dëshmoi se jo më kot udhëheq grupin e Jugut në Kategorinë e Dytë dhe se ka synime serioze për t’u ngjitur në të Parën.

FATJON NANA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"