“Përzierja me lojtarët e Superiores funksionoi”, Qazim Laçi: Ky grup ka kualitet, shkojmë në Europian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 0:06

“Përzierja me lojtarët e Superiores funksionoi”, Qazim Laçi: Ky grup ka kualitet, shkojmë në Europian

Kombëtarja përfundoi turin e ndeshjeve miqësore, teksa e fundit për këtë vit ishte me Armeninë, e cila përfundoi me një rezultat pozitiv. Në fushë për kuqezinjtë titullar u rikthye Qazim Laçi, mesfushori i palodhur, i cili është pjesë e Azhaksos në kampionatin elitar francez.

Laçi_Qazim_celeb_goal_Albania_sep2021

Në një intervistë për “Panorama Sport” Laçi flet për mbylljen e këtij viti të vështirë, përzierjen e lojtarëve të rinj të Kombëtares dhe atyre që kanë qenë pjesë vitin e fundit, por edhe për shanset që Shqipëria ka për t’u kualifikuar në një event si Europiani 2024, kualifikueset e të cilave nisin në muajin mars, ku Kombëtarja do të përballet në ndeshjen e parë me Poloninë në transfertë.

Mbyllim një vit të vështirë për Kombëtaren, pse u desh që të prisnim kaq gjatë?

E kishim detyrim që ta mbyllnim mirë vitin. Kemi biseduar shumë me çunat brenda në ekip dhe kemi thënë që na duhej një fitore dhe për fat ajo erdhi në ndeshjen e fundit.

Çfarë fituam në këto dy miqësoret e fundit?

Kjo fitore do të na japë besim për të ardhmen, ishte një vit shumë i vështirë për ne, nuk siguronim një triumf prej kohësh, vetëm humbje dhe disa barazime dhe në sajë të kësaj, besimi fillon edhe bie. Kemi diskutuar në çdo moment dhe fitorja me Armeninë na e ktheu disi atë besimin. Shpresoj që të vazhdojmë me rezultate pozitive dhe të ecim sa më lart në të ardhmen.

Pati një përzierje mes lojtarëve të rinj dhe grupit që ka qenë prej më shumë se një viti. Ju si një mesfushor i ekipit kombëtar, çfarë përshtypje ju la?

Besoj edhe trajneri avashavash, kushdo që të jetë do të fillojë t’u japë më shumë besim edhe lojtarëve të rinj, sepse në fund të fundit ata janë e ardhmja e Kombëtares. Ajo përzierje ka funksionuar shumë mirë dhe presim edhe më shumë, që nga unë i pari dhe të gjithë ekipi.

Nga lojtarët e rinj, cili ju ka pëlqyer më shumë?

Janë shumë lojtarë që luajnë nga kampionati vendës, që e kanë treguar edhe në fushë që kanë cilësi. Shpresoj të vazhdojnë kështu dhe ne si ekip t’i ndihmojmë të integrohen sa më shpejt për t’u ngritur sa më sipër.

Me grupin e lojtarëve që kemi, sa shanse ka Shqipëria për kualifikimin në Europianin e 2024-ës?

Kemi kualitet, siç e shihni edhe ju, lojtarët luajnë në ekipe të mëdha dhe mund të them se kanë qenë dy ndeshje të mira. Pavarësisht se me Italinë humbëm, por kemi luajtur shumë mirë dhe besoj se në vazhdim ky grup do të shkojë lart dhe objektiv kemi kualifikimin në Europian dhe besoj se nuk është e pamundur.

KRISTI SEJATLLARI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"