Përtej borxheve, Tirana nuk kursehet për Superioren. Zbulohet buxheti marramendës pas ngjitjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2018 | 17:07

Përtej borxheve, Tirana nuk kursehet për Superioren. Zbulohet buxheti marramendës pas ngjitjes

Projekti “Superiore” ka marrë jetë te Tirana. Klubi, pasi rikonfirmoi Ze Marian si trajner dhe rinovoi kontratën me Erion Hoxhallarin, po punon edhe për merkaton në hyrje. Tetë afrime priten në radhët e bardhebluve, ndërsa është thënë që do të jenë minimalisht dy përforcime për repart.

Drejtuesit nuk kanë në plan të kursehen dhe kjo është logjike kur dihet që pretendojnë trofe. Objektivi paraprak është Europa, por bazat po hidhen për të ndërtuar një ekip për titull. Sigurisht që gara do të jetë e fortë. Për këtë motiv, Tirana ka menduar që të ketë një buxhet milionerësh.

tIRANA

Plani është që investimi t’i kalojë 900 mijë eurot dhe sigurisht që kjo shifër do të përfshijë jo vetëm pagat vjetore të futbollistëve, por edhe të stafit teknik. Buxheti sezonal shtohet, pasi këtu nuk llogariten punonjësit e tjerë në ekip apo edhe kostot javore për çdo ndeshje, që lidhen me trajtimin ushqimor, udhëtimet në transferta apo akomodimin. Rritja është e ndjeshme, krahasuar me atë që u hodh në Kategorinë e Parë. Kujtojmë që klubit i kushtoi pjesëmarrja në inferiore plot 600 mijë euro, ndërsa pagat mujore shkonin në 60 mijë euro.

Gjithkush edhe mund të habitet kur dëgjon këto shifra, pasi ndoshta mund ta lidhin me borxhet e shumta që klubi ka (pjesa dërrmuese e të cilëve nuk është se i përkasin edhe presidentit Refik Halili). Megjithatë, nuk është e para herë që ndodh që te Tirana të ketë të superpaguar në organikë. Habia mund të venitet edhe kur mendon që në Kategorinë e Parë shpenzuan më shumë se disa ekipe të elitës. Ndaj, mbi 300 mijë euro më shumë buxhet mund të konsiderohet domosdoshmëri.

Kujtojmë që lojtari më i paguar ka qenë Majkëll Ngoo me afro 5 mijë euro. Në një nivel të ngjashëm është Erando Karabeci me 6 milionë lekë (të vjetër). Ky standard sigurisht që do të ruhet, megjithatë “shtesa” do shfrytëzohet për të shtuar cilësinë në organikë. Por, këtë herë edhe afrimet do të jenë më të mirëmenduara. Klubi kërkon që të evitojë gabimet që u bënë me Musën e Mugunën, lojtarë që i kushtuan 70 mijë dollarë humbje.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"