Personalitet dhe gjeometri/ Asllani, në regji përballë Murinjos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 15:38

Personalitet dhe gjeometri/ Asllani, në regji përballë Murinjos

Nga grumbullimi me Kombëtaren, Kristjan Asllani po dëgjon në sfond edhe sirenat e Romës. Fundjavën e ardhshme, kur Interi i tij të presë në “San Siro” verdhekuqtë e Murinjos, elbasanasi pritet të bëjë debutimin e tij si titullar, një emocion i paprovuar më parë me fanellën zikaltër.

ASLLANI

Mungesa e Brozoviçit të skualifikuar për shkak kartonësh dhe dëmtimi i Hakan Çalhanoglusë, e kanë projektuar 20-vjeçarin në regji, aty ku pritet të formojë treshen qendrore në mesfushë bashkë me Barelën e Mikhitarianin. Pozicioni delikat që mban në fushën e lojës ka qenë një nga arsyet që e ka shtyrë deri më ditën e sotme debutimin e tij, pa lënë mënjanë as praninë e kroatit, një lojtar që më shumë se konkurrent, Brozoviç e shikon si udhërrëfyesin e tij.

“Është normale që nuk po luaj shumë kur jam vetëm 20 vjeç dhe kam përballë një si Brozoviçi, nga i cili po mësoj shumë”, shprehej Asllani pak ditë më parë, duke dhënë leksione përulësie, veç qetësisë e durimit që ka transmetuar në këtë fillim sezoni.

KARAKTER DHE GJEOMETRI – Ndaj Romës, Inzagi më së shumti do të ketë nevojë për këto cilësi, ndoshta në ndeshjen më të rëndësishme deri më tani, që duhet të shërbejë për të ndryshuar rrjedhën e sezonit. E përveç personalitetit, dirigjimi i lojës së Interit do të kalojë nga këmbët e Kristjanit, që duhet të jetë më gjeometrike dhe më e rrjedhshme se kurrë.

ASLLANI 1

29 minutat e deritanishme për të në tri ndeshje, të gjitha duke zëvendësuar Brozoviçin, kanë shërbyer për të testuar ujërat për mesfushorin, i cili duhet të bëhet gati për furtunën e madhe, aty ku do të duhet versioni i tij më i mirë. Asllani ka treguar që sfidat i dashuron dhe i përballon me sukses dhe ka një dobësi për ato të mëdhatë.

I ka dhënë provat si kundërshtar i Interit me fanellën e Empolit, e tani duhet t’i japë edhe si zikaltër, përballë një tjetër “interisti”: Zhoze Murinjos. Kristjani ishte 10 vjeç kur në majat e gishtave shikonte në televizorin e lokalit në Buti, aty ku është rritur, suksesin e Interit e të portugezit në finalen e Champions League. Më 1 tetor, pikërisht përballë Murinjos do të tentojë ai të jetë “Speciali”.

INTERI

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"