Përsëri bëhet shkak ambulanca, ndeshja në kampionatin shqiptar fillon me vonesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2021 | 16:02

Përsëri bëhet shkak ambulanca, ndeshja në kampionatin shqiptar fillon me vonesë

Të shtunën, në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut u luajt takimi Turbina-Lushnja. Të dyja ekipet, edhe pse janë jashtë objektivave, kanë bërë një ndeshje të mirë. Loja ka qenë e bukur me raste nga të dyja skuadrat, por takimi ka përfunduar pa gola.

turbina lushnja

Ky ishte i fundit për vendësit në fushën e vet, për këtë sezon. Përpara takimit është mbajtur një minutë heshtje në nder të ish-trajnerit të moshave të Turbinës, Ferit Hoxha, që është ndarë nga jeta. Ndeshja ka nisur me ritëm. Shkëndijën e parë e kanë dhënë cërrikasit me Dacin në minutën e 10–të, që tenton me kokë, por nuk shënon dot. Pas pesë minutash, Jaupaj gjuan, por topi i tij shkon mbi traun e portës mike. Në minutën e 30-të, lushnjarët ishin pranë golit, por topi i gjuajtur nga Xeka u prit pa problem nga Laroshi. Minuta 42, Juri i Turbinës godet bukur, por nuk gjen dot kuadratin.

Pjesa e parë mbyllet pa gola. Fraksioni i dytë filloi me 12 minuta me vonesë. Shkak është bërë autoambulanca, që është larguar në një urgjencë dhe më pas është rikthyer. Gjithsesi, edhe kjo pjesë nuk dhuroi asnjë gol. Trajneri i Turbinës, Alfred Allamani, pas ndeshjes u shpreh: “Bëmë një ndeshje të mirë, por na mungoi goli. Sa i takon nivelit, ishim më lart se kundërshtari. Edhe pse e kemi siguruar mbijetesën, e kishim vlerësuam takimin. Në pjesën e dytë aktivizova disa të rinj me të ardhme, që duhet të punojnë shumë, pasi Kategoria e Parë është e fortë”.

MARIGLEN MIRAKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"