“Përralla” e Vorës, financa të garantuara dhe shumë cilësi për Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2018 | 16:55

“Përralla” e Vorës, financa të garantuara dhe shumë cilësi për Kategorinë e Parë

Vora thuajse e ka siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ekipi i drejtuar nga Gerald Çani e kaloi edhe transfertën e vështirë në Shkodër ndaj Adës dhe kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit, vorakët janë thuajse me një këmbë në Kategorinë e Parë. Një klub i ndërtuar pesë vite më parë, tashmë është një hap larg ngjitjes historike.

Skuadra që përfaqëson qytezën në periferi të kryeqytetit po bëhet gati që të festojë ngjitjen një kategori më lart. Kryebashkiaku Fiqiri Ismaili që financon skuadrën është treguar korrekt ndaj lojtarëve dhe stafit. Me financa të garantuara dhe një grup lojtarësh cilësorë, vorakët janë në prag të zyrtarizmit të hapit të madh. I vetmi problem i skuadrës është infrastruktura. Fusha në Vorë kërkon ndërhyrje imediate, pasi nuk i përmbush kushtet. Megjithatë, drejtuesit e kanë marrë seriozisht dhe pritet që në verë të ndërhyhet dhe stadiumi të jetë gati kur të rifillojë kampionati në shtator.

vora

KAPITENI

Kapiteni Gazmend Fuçia ishte pa dyshim më i miri në fushë duke shënuar katër gola për skuadrën e tij. Në një prononcim, lojtari shprehet: “Jemi një grup shumë i mirë lojtarësh. Fitorja e arritur në Shkodër ndaj Adës ishte shumë e rëndësishme dhe më se e merituar. Jemi në rrugën e duhur drejt ngjitjes në Kategorinë e Parë. Kam shumë besim se do t’i kalojmë me sukses edhe këto dy takime që kanë mbetur dhe do të luajmë një kategori më lart në kampionatin e ardhshëm. Kemi udhëhequr me meritë garën që prej fillimit dhe jemi në rrugën e duhur. Mendoj se kemi merituar gjithçka në këtë histori. Fillimisht, të zyrtarizojmë ngjitjen dhe më pas të mendojmë për kampionatin e ardhshëm ku të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi prononcimin e tij Fuçia.

Ahmet Zani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"