Përplasjet në shtangë, replikon Çuni: Gjoza është manipulator!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2021 | 18:41

Përplasjet në shtangë, replikon Çuni: Gjoza është manipulator!

Situata në komunitetin e peshëngritjes është trazuar pas skandalit me tre shtangistët që u skualifikuan në prag të Kampionatit Europian për moshat U-15 dhe U-17, për shkak se nuk kishin bërë regjistrimet në sistemim e antidopingut “ADAMS”. Ndërsa debate të forta ka shkaktuar edhe mosfutja në listën e Europianit të peshëngritëses së talentuar elbasanase Enkileda Carja. Pikërisht për rastin e kësaj të fundit, presidenti i FSHP-së, Elez Goza, konsideron fajtore trajneren Eglantina Çuni, për të cilën kreu i shtangës tha se kishte bërë kërkesa të papranueshme për rregullat e federatës, madje Gjoza shkoi deri aty duke u shprehur se trajnerja Çuni i kishte kërkuar para kesh për të bërë grumbullimin. E menjëhershme ka qenë edhe përgjigjja e trajneres, e cila në një prononcim për “Panorama Sport” sqaron se të gjitha këto janë shpifje, duke e konsideruar Gjozën një manipulator.

CUNI

“Elez Gjoza më ka etiketuar si përgjegjëse e mos grumbullimit të sportistes Enkileda Carja duke mos përmendur fare regjistrimin për ne Europian dhe humbjen e këtij shansi.

Unë e kam të faktuar me mesazh kërkesën që i kam bërë në datën 17 korrik, ku në asnjë fjalë timen në mënyrën më kategorike nuk ekziston fjala para kesh, që z.Gjoza ka përmendur.

Por, të gjitha këto janë fjalë boshe të tijat për të na hedhur hi syve dhe për të anashkaluar problemet konkrete”, tha trajnerja.

REZULTATET – Eglantina Çuni më tej iu përgjigj kreut të FSHP-së edhe për etiketimin si trajnere pa rezultate: “Ju përmend këtu kontributin rreth 5-vjeçar të këtij ekipi modest vajzash të reja të Elbasanit që mbajnë 4 tituj kampionë të Shqipërisë për moshat U-15, U-17, U20 në 2019-ën dhe një për të rinj në 2021-shin, si dhe disa nënkampion për të rritur nga 2017-ta deri në 2021-shin. Është turp që presidenti i një federate të hedhë poshtë punën tonë të përbashkët.

Është turp të hedhë poshtë sportistë e trajnerë, sepse atij i janë prishur interesat. Jemi ekip i ri, por i kemi sjellë një ndryshim të madh qasjes së femrave në këtë sport në Shqipëri, si për pjesëmarrjen në aktivitetet kombëtare dhe përgatitjen e ndonjë elementi për garat ndërkombëtare, siç ishte rasti Enkiledës.

S’është as turp dhe as dështim që jemi një ekip modest në fillimet tona. Unë s’i marr sportistet gati, por punoj vetë me to që nga mosha 8- 9 vjeçare”.

4 PYETJET PËR GJOZËN – Trajnerja në fund nënvizon 4 pyetjet e drejtuara ndaj presidentit të FSHPsë, nga i cili pret përgjigje:

1- Si do ta motivosh një trajner dhe një sportist për të vazhduar këtë sport kaq impenjativ dhe të rëndë?! Duke i zënë vendin trajnerit sa herë që sportistët tanë janë pranë medaljeve?!

2- Mbas zgjedhjes si president a është miratuar në Gjykatën e Rrethit Tiranë kandidatura juaj? Nëse po, të na vihet në dispozicion ky vendim i gjykatës!

3- Sa ka qenë grandi i përfituar nga ministria për Federatën e Peshëngritjes dhe si është shpenzuar ky grant deri më tani?

4- A ka marrë FSHP njoftim nga WADA për regjistrimin e sportistëve dhe trajnerëve nga këta të fundit në sistemin “ADAMS”? – Nëse po, të bëhet publike data e këtij njoftimi që ka ardhur nga WADA?”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"