Përplasja Xhaka-De Biazi, Duka bën diplomatin: Luan kush e meriton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2017 | 22:19

Përplasja Xhaka-De Biazi, Duka bën diplomatin: Luan kush e meriton

Presidenti i Armand Duka është i ndërgjegjshëm që Federata Shqiptare e Futbollit do të dënohet nga FIFA për veprimet e tifozëve që ndërprenë për nëntë minuta ndeshjen me Italinë të premten. I ftuar në emisionin “Top Story”, kreu i FSHF-së tha se shpreson që dënimi të mos jetë shumë i rëndë.

Duka tha mes të tjerash se veprimi i ultrasve “Illyrian Elite” është i pajustifikueshëm, sado që grupimi mund të ketë qenë i pakënaqur nga trajtimi i policisë shqiptare. Ai theksoi se tashmë këtij fenomeni i është shpallur luftë.

Duka Top Story

Intervista

Duka, pse ndodhi incidenti me tifozët?

Nuk besoj se mund të gjesh një pse për veprime të tilla të dhunshme, të cilat janë të papranueshme dhe cenojnë qetësinë e të tjerëve. Nuk ka asnjë arsye ai veprim në stadium. Nuk di ta them arsyen, duhet ta dinë ata që e kanë bërë këtë. Ndoshta një pjesë e tifozëve nuk kanë qenë të mirëtrajtuar në ndeshjen me Izraelin apo Serbinë kohë më parë. Prapë, nuk më duket kjo arsye për atë që ndodhi. Forcat e sigurisë kanë bërë detyrën e tyre. Ne jemi munduar të bashkëpunojmë, duke ulur në tavolinë edhe tifozët në takimet me policinë. Në asnjë rast nuk u jep të drejtë të cenojnë interesat e të tjerëve që vijnë në stadium. Veprime të tilla janë absolutisht të papranueshme. Nuk mundet për asnjë lloj arsye, qoftë edhe të drejtë, që të përdorin dhunën.

Çfarë ka ndodhur në prag të ndeshjes me Italinë, a ka pasur një bashkëpunim me tifozët për biletat?

Grupimet e tifozëve janë nga troje të ndryshme. Ne si FSHF mundohemi të zbatojmë rregullat e lojës, pasi çfarëdo që të ndodhë, FIFA dënon federatën përkatëse. Sa i përket shpërndarjes së biletave, çdo ekip që udhëton ka të drejtë pesë për qind të tyre. Me Italinë biletat kanë qenë online, mund t’i merrte çdokush. Nga 2200 bileta që na ofroi Italia, 1000 i kemi kthyer mbrapsht, pasi nuk i ka marrë njeri. Jam habitur, por gjithsesi kishte shumë shqiptarë në stadium. Ne u kemi dhënë bileta të gjithë atyre grupimeve që kanë kërkuar për këtë takim. Në Francë nuk kemi dhënë, sepse kështu ishin rregullat e UEFA-s.

U druheni masave ekstreme nga FIFA?

FIFA do marrë masa shumë shpejt, uroj që të mos jetë dënim i rëndë.

Grupimi e paralajmëroi incidentin, pse nuk u ndaluan?

Tendenca për ta drejtuar gishtin diku nuk shkon. Nuk duhet ta transferojmë apo shfajësojmë atë që ka ndodhur. FSHF-ja nuk e dinte se mund të ndodhte diçka. Është një shfaqje e shëmtuar, duhet ta luftojmë. Tashmë kemi vendosur t’i ndalojmë.

Ju vetë kandidoni për anëtar të Komitetit Ekzekutiv në UEFA. A ka reklamë më të keqe se kaq?

Nuk është promocion pozitiv, por kjo nuk më shqetëson. Ajo që më shqetëson është që fenomene të tilla nuk duhet të trashen. Kemi shumë vende në Europën Lindore ku tifozët degjenerojnë dhe përdoren si instrumente. Nuk na sjellin asnjë të mirë. Në këtë pikë duhet të bashkohemi kundër dhunës. Ultrasit në Serbi përdoren për të destabilizuar jetën e vendit edhe jashtë stadiumit. Nuk shoh unitet, madje edhe në mediat sportive lexoj që shkruajnë se FSHF-ja dëboi tifozët. Gjëja më e paparanueshme janë koret ofenduese të tifozëve. Më vjen turp kur shikoj ndeshjet e kampionatit dhe shahet në kor.

Shikojmë që ka një klimë të keqe në Kombëtare, pasi lojtarë si Xhaka, Gashi dhe Abrashi duket sikur nuk do të kthehen më. Çfarë po ndodh?

Ekipi nuk ka të njëjtën performancë si para Europianit. Nuk dua ta justifikoj, pasi e kam kritikuar gjithnjë. U kam thënë mjaft me festën, pasi duhet të zgjohen. Pas një suksesi historik si ai në Europian, të gjithë personazhet ishin heronjtë e ditës në Shqipëri, kështu që patjetër do të ndikonte kjo eufori. Por, realisht ne nuk jemi të mëdhenj. Ne mund të bëjmë rezultat vetëm kur djersitim shumë. Duhet të bëjmë atë që bëmë përpara Europianit. Këtë nuk po e bëjmë mirë tani në eliminatoret e Botërorit. Mund të jetë proces normal, por unë kisha dëshirë ta nisnim kthesën me një rezultat pozitiv në Itali. Tashmë e kemi filluar kthesën me lojë, uroj të jetë kthesë e vërtetë.

Italia shënoi golin e parë me penallti. Zor se mund të jepej për Shqipërinë ai rast 11-metërshi si i Belotit…

Penallti është gjithmonë kur vërshëllen arbitri. Nuk besoj se do të ishte për ne kundër Italisë, nëse ndodhte i njëjti aksion. Ishte një penallti në nivelet që mund të jepej, por edhe mund të mos jepej.

Për çfarë do të na vlejnë ndeshjet e mbetura. Do ketë ndryshime?

Se çfarë do të bëj trajneri, është e drejtë ekskluzive e tij për zgjedhjet teknike. Në çdo rast në ekip duhet të jenë të pranishëm ata që kanë gjendje më të mirë në atë moment.

Xhaka duhet të ishte në fushë ndaj Italisë?

Nuk jam unë ai që e vendos. Në Kombëtare luan ai që e meriton, por këtë e di trajneri. Kjo lojë kërkon shumë disiplinë. Është lojë e gabimeve të trajnerëve, arbitrave dhe lojtarëve, prandaj është e bukur. Duhet t’i respektojmë edhe gabimet. Para ndeshjes çdo trajner mendon se ka zgjedhur më të mirët, por kur përfundon takimi mund të mendojë ndryshe. Të gjithë kanë dëshirë të luajnë titullarë.

Keni një reagim për deklaratën e Xhakës? E ka akuzuar shumë rëndë trajnerin, do të ketë masa për të?

Xhaka nuk është aktivizuar dhe ka qenë i pakënaqur. Ai nuk ka ikur pa leje nga grumbullimi. Ka njoftuar trajnerin, i ka thënë që kërkon të largohet dhe të vazhdojë stërvitjen me ekipin e tij në Zvicër. De Biazi e ka lejuar të ikë dhe përderisa trajneri nuk thotë që ka thyer disiplinën, nuk besoj se duhet të merret ndonjë masë për lojtarin.

Stema e FSHF-së është unike, ndërsa në uniformën e dytë dhe të tretë është e ndryshuar. Pse?

Emblema e vendosur në bluzë nuk është vendim i parashikuar. Shqiponja është njëlloj në të tria uniformat. Nuk ka lidhje me flamurin e Shqipërisë në kushtetutë. Emblema është e zezë në të gjitha rastet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"