Përplasja mes Lerdës dhe Mehmetit, Partizani merr vendimin për trajnerët. Ja kush rrezikon më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2019 | 10:44

Përplasja mes Lerdës dhe Mehmetit, Partizani merr vendimin për trajnerët. Ja kush rrezikon më shumë

Barazimi me Kukësin u konsiderua i pranueshëm pas përfundimit të ndeshjes, por atmosfera te Partizani u prish nga sherri mes pjesëtarëve të stafit teknik. Trajneri Franko Lerda dhe zëvendësi Dritan Mehmeti patën një përplasje verbale, e cila e pati zanafillën nga debati për një zëvendësim gjatë ndeshjes.

Lerda Mehmeti

Sjellja në kompleks e dy trajnerëve është e papranueshme për imazhin e klubit, kështu që si fillim pritet të ketë masa ndëshkimore si për Lerdën dhe Mehmetin.

“Panorama Sport” u interesua dje në klub për të mësuar nëse ka ndonjë vendim apo qëndrim zyrtar për incidentin mes dy pjesëtarëve të stafit teknik. Por, përgjigjja ishte se nuk do të ketë asnjë njoftim për mediat. Pra, edhe kësaj radhe klubi do të vijojë me ndëshkimet pa zë dhe me vendim qarkullues brenda familjes.

Gjithsesi, “Panorama Sport” nga burime të ndryshme ka mësuar se të dy trajnerët do të përballen me një gjobë të majme për sjelljen e tyre josportive pas barazimit me Kukësin. Zakonisht klubi për raste të tilla i ka gjobat mbi 2 mijë euro, por më ekzaktësisht të ndëshkuarit e mësojnë kur marrin rrogën mujore.

mehmeti

MEHMETI RREZIKON

Përveç ndëshkimit financiar, masat për incidentin në staf mund të përshkallëzohen edhe më shumë dhe ai që rrezikon më shumë është zv.trajneri Dritan Mehmeti, kjo edhe nga kushti që ka paraqitur trajneri italian pas sherrit të brendshëm.

Lerda pas përplasjes fizike me ndihmësin e tij ka njoftuar drejtuesit e klubit se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen dhe se në situata të tilla nuk mund të punonte dot. Drejtuesit i kanë kërkuar të qetësohet, pasi ngjarja do të ishte objekt i një mbledhjeje në klub.

Nisur edhe nga rasti i përplasjes së gushtit me Sakonen dhe Mehmetin, edhe në këtë rast klubi pritet të veprojë në të njëjtën mënyrë, duke votëbesuar Lerdën në krye të ekipit, ndërsa Mehmeti të spostohet në ndonjë pozicion tjetër larg ekipit të parë. Dihet që pas përplasjes së parë në stafin teknik, Korado Sakone vijon të jetë pjesë e klubit, por punon te Partizani B me trajnerin e ri Reinaldo Kalari.

Zakonisht klubi nuk i bën publike vendime të tilla, por ia lë kohës që të zbulohen. Kështu që seanca e sotme do të zbardhë edhe të ardhmen e Dritan Mehmetit

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"