Përplasja me Cungun, Ylli Hoxha: Do flas pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2016 | 15:45

Përplasja me Cungun, Ylli Hoxha: Do flas pas ndeshjes

Pas përplasjes me trajnerin Armando Cungu në stërvitjen e së premtes, mesfushori kosovar i Vllaznisë, Ylli Hoxha, është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e radhës kundër Skënderbeut, që do të zhvillohet sot në stadiumin “Loro Boriçi”. Dje kuqeblutë u grumbulluan në një hotel afër fshatit Barbullush dhe ai që mungonte ishte pikërisht mesfushori.

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Hoxha konfirmoi ato gazeta kishte bërë të ditur në numrin e së shtunës, por refuzoi të jepte detaje të përplasjes në stërvitjen me Cungun.

Hoxha-Cungu

“Është e vërtetë ajo që është shkruar, por për respekt të klubit Vllaznia do të flas vetëm pas ndeshjes. Nuk dua që të çështja ime të ndikojë në ekip. Është më e rëndësishme skuadra, pasi në prag është takimi me Skënderbeun. Prandaj kam vendosur të hesht për momentin”, ka thënë shkurtimisht Hoxha.

Ndërkohë, sipas të gjitha gjasave, mesfushori do të pezullohet nga drejtuesit e klubit. Pritet që këta të fundit të mblidhen pas ndeshjes me Skënderbeun për të diskutuar atë që ka ndodhur në seancën e së premtes. Dje, klubi i futbollit Vllaznia ia ka lënë gjithçka në dorë trajnerit Cungu për të sqaruar situatën me lojtarin, duke mos dalë me një qëndrim për këtë çështje.

Fokusi i të gjithëve në klub është ndeshja me korçarët, prandaj dhe drejtuesit nuk duan që të ketë shpërqendrim, jo vetëm nga lojtarët, por edhe nga stafi teknik. Kujtojmë që dy ditë më parë, Cungu urdhëroi Hoxhën të linte stërvitjen në mes dhe më pas ky i fundit i kërkoi llogari. Burime të sigurta të gazetës treguan se situata për pak degjeneroi në sherr me grushte, por ndërhyri zv.trajneri Aleksandër Maxhar dhe gjithçka u sheshua.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"