Cungu konfirmon debatin me Hoxhën: Ja pse e largova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2016 | 10:25

Cungu konfirmon debatin me Hoxhën: Ja pse e largova

Armando Cungu konfirmon për plasjen me mesfushorin Ylli Hoxha, ashtu siç kishte bërë të ditur “Panorama Sport” për incidentin e ndodhur në stërvitjen e së premtes. Trajneri i Vllaznisë doli para mediave në prag të ndeshjes me Skënderbeun, duke sqaruar çështjen e lojtarit kosovar. Ai theksoi se sot ndaj korçarëve e kënaq edhe një pikë.

CUngu Vllaznia

Z. Cungu, së pari a mund të na sqaroni si është e vërteta e përplasjes që keni pasur me mesfushorin Ylli Hoxha pas stërvitjes së të premtes?

Në fakt, ka patur një problem. Bëhet fjalë për thyerje disipline, që unë nuk ia toleroj as Ylli Hoxhës dhe asnjë futbollisti, prandaj dhe e kam nxjerrë nga stërvitja. Më pas, më ka kërkuar vetë Hoxha më tepër sqarime në dhomat e zhveshjes, por nuk ka patur as konflikt, grushte apo gjëra të tilla. Ishte një moment ku sportisti nuk është treguar profesionist. Këtë e ka shfaqur edhe herë të tjera.

Atëherë, çfarë do të bëhet me Hoxhën. Do të ketë masa?

Unë e kam thënë edhe më parë, që nuk do të toleroj asnjë lojtar që të prishë punën e grupit dhe një klubi. Vllaznia nuk i përket një personi, por i përket një qyteti. Në këto kushte, nuk ka të drejtë asnjë person që të prishë emrin e Vllaznisë së Shkodrës me gjestet e tij. Sa u përket masave, i takon klubit për këtë punë. Unë nuk do të bëj më asnjë koment, sepse këtu jam për të punuar dhe për të ruajtur rregullin në ekip. Jam këtu për të ruajtur disiplinën te Vllaznia dhe kush do të kërkojë që ta baltosë atë, nuk ka vend në këtë ekip.

Çfarë ju ka kërkuar lojtari?

Unë ia kam bërë të ditur atij dhe çdo lojtari se jam unë personi që vendos për aktivizimin. Të jetë i bindur ai dhe të gjithë se kush e ka merituar, ka zbritur në fushën e lojës. Sa herë që më kanë bindur, kanë luajtur. Nuk kemi ardhur këtu për t’u tallur dhe për të luajtur futboll si të duan ata, sepse as unë nuk kam ardhur të tallem me djersën e djemve. Kush ka qenë korrekt dhe serioz ka zbritur në fushë. Ndërsa ata që kanë ardhur të tallen, nuk kanë vend te Vllaznia. Tani pjesa tjetër u përket drejtuesve të klubit.

Është e vërtetë që i keni thënë: “Sa të jem unë, nuk do luash asnjë minutë te Vllaznia!”…?

I kam thënë se nuk mund të luash futboll ti dhe askush tjetër duke u tallur. Sa të jem unë, me këtë mënyrë loje që mendon të bëjë Hoxha, nuk do të luajë ai dhe askush. Të luash futboll për qejf?! Sa të jem unë, nuk luan askush.

Hoxha-Cungu

Lëmë pas çështjen “Hoxha” dhe kalojmë te ndeshja me Skënderbeun. Si e prisni?

Normalisht është një sfidë që ka specifikën e vet. Përballë kemi 6 herë kampionët e Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë asgjë. E rëndësishme është që djemtë të tregojnë maksimumin e tyre dhe të japin shpirtin në fushë. Natyrisht që kërkojmë të ruajmë këtë vazhdimësi pozitive që kemi në rezultate. Tashmë mund të them se ekipi është rritur edhe në aspektin psikologjik. Kemi marrë jo vetëm rezultate, por kemi bërë lojëra të mira. Duhet të ruajmë këtë moment të mirë.

Do të mungojë Cicmil, a ka ndonjë shqetësim tjetër në ekip?

Cicmil është një lojtar i rëndësishëm për ne. Megjithatë, Vllaznia është mësuar me mungesa të vazhdueshme. Kemi lojtarë në dispozicion që do të dinë të bëjnë më të mirën dhe të zëvendësojnë Cicmil apo këdo tjetër. Kemi edhe një shqetësim të Arlind Kalasë, por nuk e di se sa do të jetë i gatshëm për të përballuar këtë takim. Megjithatë, e thashë edhe më lart, që kemi një grup që do të dijë të bëjë më të mirën.

Vllaznia formacioni

Edhe në takimin e parë në Korçë, Vllaznia shkoi me një moral të lartë, por u thye lehtësisht. Tashmë është e njëjta situatë, prisni tjetër rezultat?

Nuk ka asnjë arsye për të pasur vetëkënaqësi. Nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe, madje kemi lënë pa bërë. Në këtë moment jemi entuziastë dhe djemtë duhet të futen me entuziazëm për të kërkuar maksimumin edhe ndaj Skënderbeut.

Me ecurinë e këtyre javëve të fundit, tani Vllaznia shikohet me një sy tjetër, kjo ndikon për mirë apo për keq tek ju?

Nuk më intereson se si na mendojnë të tjerët. Më intereson që ekipi të jetë me anë psikologjike të lartë. Djemtë të zbresin në fushën e lojës për të treguar potencialet që kanë. Nëse bëjmë një gjë të tillë, mund të dalim të qeshur në fund kundër Skënderbeut.

Do ju kënaqte një barazim?

Edhe barazimi nuk është një rezultat i keq. Ne do të hymë vetëm për fitore, por e përsëris që një pikë nuk është rezultat i keq.

Ndaj Korabit kishte vetëm 30 tifozë. Keni ndonjë apel?

Dëshira jonë është që të kemi sa më shumë tifozë. Shpresoj që edhe koha të jetë më bujare me ne. Besoj se do të jenë shumë më tepër në stadium. Tifozët janë një frymëzim më shumë për ne.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"