Përplasen gjysmëfinalistet e Botërorit, Anglia kërkon hakmarrje kundër Kroacisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 17:50

Përplasen gjysmëfinalistet e Botërorit, Anglia kërkon hakmarrje kundër Kroacisë

Një “replay” e gjysmëfinales së Botërorit, që Kroacia e fitoi 2-1 kundër Anglisë. Vjen shpejt, sot në Rijeka, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Stadiumi do të jetë pa tifozë pas dënimit të fushës së kroatëve për Zvastikën (kryqin e thyer nazist) në kualifikueset e “Euro 2016” kundër Italisë. Daliç e ka shpallur formacionin e tij anti-Angli, por a e bëri edhe Garet Sauthgejt? “Mendoj se do të duhet të presim deri një orë përpara ndeshjes, si zakonisht”, tha duke qeshur, pasi iu drejtua pyetja e parë në konferencë.

angli kroaci

“Nuk do të luajmë me një skuadër eksperimentale. Kemi ardhur këtu për të marrë një rezultat dhe skuadra që do të luajë do të jetë një, tek e cila ne besojmë. Askush nga lojtarët e mi nuk është eksperimental, janë të gjithë lojtarë, te të cilët besojmë. Ka disa lojtarë relativisht me më pak eksperiencë, por që kanë befasuar në stërvitje dhe kanë treguar se mund të përballen në këtë nivel”, tha tekniku anglez.

“Kroacia është një skuadër e fortë. Kovaçiç ishte në stol në gjysmëfinale, por Rebiç dhe Perisiç janë dy lojtarë sulmues të shkëlqyer. Mesfusha është thuajse më e forta në botë. Do të jetë një test i mirë për ne”. Por, si do të jetë përvoja e luajtjes në një stadium të boshatisur për ishullorët? “Do të jetë një eksperiencë e çuditshme. Mendoj se edhe Kroacia do të ndihet njëlloj që nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve të zjarrtë.

Është për të ardhur keq për tifozët, që kanë udhëtuar dhe ata që nuk humbasin asnjë ndeshje prej dekadash”. Duke qenë se zërat e lojtarëve do të amplifikohen sot për shkak të stadiumit të boshatisur, Sauthgejtin e ngacmojnë nëse ai do t’i këshillojë futbollistët e tij që të mos flasin: “Epo unë kam dy vite që i nxis që të flasin me njëri-tjetrin në fushë, kështu që t’i ndaloj tani, do të ishte e dëmshme. U takon televizioneve të mendojnë se ku duhet t’i vendosin mikrofonat”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"