Përmbysjet në modë, Kukësi gjunjëzon Bylisin. Ballshiotët s’ruajnë dot avantazhin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2014 | 12:36

Përmbysjet në modë, Kukësi gjunjëzon Bylisin. Ballshiotët s’ruajnë dot avantazhin

Kukesi-BylisKUKËSI-BYLISI 2-1
GOLAT Cikalleshi 59′, Hysa 88’/ Idrizaj 26′
KUKËSI: Koci, Brahja, Dikanoviç, Hallaçi, Smajli, Shameti, Progni, Hoxha, Hysa, Cikalleshi, Boja (Peter 35′, Jonuzi 86′). Trajner: S.Starova
BYLISI: Ruçi, Doshllaku, Guga, Llënga, Idrizaj, Kelmendi, Kastrati (Bakiu 75′), Kurti, Shillova, Kuli, Mile. Trajner: E.Egbo
KARTONË TË VERDHË: Shameti 41’/ Doshllaku 65′
DELEGAT: Petrit Haxhia (Tiranë)
VËZHGUES: Mëhill Shkëmbi (Shkodër)
GJYQTARET: E.Dyrmishi, G.Qirici, A.Shkreta (Tiranë)

MINUTAT
19′ Shillova gjuan fort brenda zonës dhe devijon Koci, por topin e devijuar e zotëron Kuli që gjuan fort dhe është sërish gardiani kuksian.
22′ Hysa shpërdoron një rast për gol, duke gjuajtur në lartësi.
26′ Qendërmbrojtësi Diorde Dikanoviç spastron keq zonën duke ia dërguar topin Idrizajt. Ky i fundit manovron bukur, del në pozicion diagonal dhe gjuan duke e dërguar topin mbi të gjithë lojtarët dhe portierin Koci dhe shënon golin e parë.
59′ Është Hoxha që rrëmben topin në mesin e fushës dhe përparon deri në hyrje të zonës aty ku gjen të lirë Cikalleshin. Ky i gjuan tokazi dhe barazon rezultatin.
75′ Cikalleshi gjuan fort, por topi përplaset te një mbrojtës.
77′, 79′ Hoxha humbet dy raste për të shënuar.
83′ Progni godet nga larg, por topi kalon ngjitur me shtyllën.
88′ Është Shameti që përparon me topin në një kundërsulm befasues për Kukësin. Fut topin djathtas duke nxjerrë të lirë Cikalleshin dhe Hysën dhe ky i fundit nuk e ka aspak të vështirë me portën bosh të shënojë golin e avantazhit.
93′ Në fundin e lojës është i riu Jonuzi për Kukësin që lëviz bukur në zonë dhe rrezikon seriozisht portën e Rucit.

Kukësi prek gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për të dytën herë radhazi dhe synon fitimin e trofeut. Kualifikimi ka ardhur pas fitores ndaj Bylisit me rezultatin 2-1, ashtu si në sfidën e parë të zhvilluar përpara dy javësh në Ballsh. Suksesi është arritur pas një fitoreje të vështirë dhe drithëruese, pasi ballshiotët kanë luajtur fort duke kaluar edhe të parët në avantazh. Sërish festa ka përfshirë qytetin, por Kukësi shfaqi sërish sëmundjen e vjetër të moskonkretizimit në pjesën e parë duke vuajtur deri në fund. Goli i fitores ka ardhur në minutat shtesë. Bylisi ka pasur mungesa të shumta, por edhe Kukësi si zakonisht në mesfushë ka qenë vetëm me dy lojtarë bazë.
Pjesa e parë Sinjalin e parë e jep Kukësi në minutën e 6-të kur Dikanoviç godet me kokë, por portieri e devijon topin në goditje këndi. Pesë minuta më vonë, Progni ekzekuton një goditje dënimi jashtë zonë dhe topi përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë të Rucit. Në minutën e 15-të, Shameti përplaset në zonë me Rucin, por arbitri vijon lojën edhe pse vendësit këmbëngulin për penallti. Ballshiotët rrezikojnë në pak sekonda dy herë. Fillimisht është Shillova që gjuan drejt portës, por Koci ndal një gol të sigurt. Më pas, provon Kuli, por gardiani vendës neutralizon. Hysa e Hoxha shpërdorojnë topat në zonë dhe kundërpërgjigja është me anë të Kulit, që nga 20 metra për pak sa nuk shënon. Momenti kulmor vjen në minutën e 26-të kur qendërmbrojtësi Diorde Dikanoviç spastron keq zonën duke ia dërguar topin Idrizajt. Ky i fundit manovron bukur dhe del në pozicion diagonal, duke e dërguar topin mbi të gjithë lojtarët dhe portierin Koci dhe kështu shënon golin e parë. Rasti për Bylisin vjen sërish, por Kelmendi gjuan pak mbi traversë. Në minutën e 35-të, Boja i dëmtuar i lë vendin Peter. Pjesa e parë mbyllet me një karton të verdhë për Shametin.
Pjesa e dytë Është sërish Dikanoviç, ashtu si në pjesën e parë, që godet me kokë, por pa rezultat. Rreth katër mijë tifozë që kishin hyrë falas në stadium kërkojnë përmbysjen e rezultatit, por Kuli me shokë sërish nuk dorëzohen. Në minutën e 59-të është Hoxha që rrëmben topin në mesin e fushës, përparon deri në hyrje të zonës dhe aty gjen të lirë Cikalleshin. Ky i fundit godet tokazi dhe barazon rezultatin. Në minutën e 75-të, është Hysa që depërton nga krahu i majtë, por Cikalleshi në zonë e dërgon topin në këmbët e mbrojtësit ballshiot. Më pas është Hoxha që gjuan paralel me vijën fatale dhe humbet një rast përballë portierit Ruci. Në vijim ka dy gjuajtje të forta të Prognit, por njëra përfundon jashtë e tjetra pritet nga portieri Ruci. Nga krahët nuk ndalet Hallaçi, derisa rrezikon në minutën e 85-të me një gjuajtje nga distanca. Vjen minuta e 88-të dhe është Shameti që përparon me topin në një kundërsulm befasues për Kukësin. Pason djathtas, duke nxjerrë të lirë Cikalleshin dhe Hysën dhe ky i fundit nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë.

“Synojmë të fitojmë kupën”
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Kukësit, Sulejman Starova, u shpreh: “Ishte një ndeshje jo e lehtë. Natyrisht, kualifikimi na kënaq. Ne e kemi objektiv fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe për këtë do të luftojmë deri në minutën e fundit. Kundërshtari nuk ishte i lehtë. Arritëm ta përmbysim rezultatin dhe të kualifikohemi, pasi kemi fituar po me këtë rezultat edhe në Ballsh. Kualifikimi do të thotë se jemi në rrugë të mbarë drejt trofeut të Kupës së Shqipërisë. Përmbysja e rezultatit tregon edhe një herë forcë karakteri. Këtë e kemi bërë dy herë radhazi, fillimisht me Flamurtarin dhe për herë të dytë sot(dje)”.

“Na mungojnë financimet e mëdha”
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Bylisit, Emanuel Egbo, u shpreh: “Ne e kishim humbur ndeshjen e parë në shtëpi dhe ishim mobilizuar maksimalisht, edhe pse kishim mungesa. Bëmë një pjesë të parë të shkëlqyer dhe ishim pranë kualifikimit, por na duhej edhe një gol. Kukësi arriti të na barazojë dhe kalojë. Dihet që ekipe si Skënderbeu dhe Kukësi kanë financime të mëdha, të cilat ne na mungojnë, dhe krijojnë grupe të forta. Vjet ishim finalistë të Kupës së Shqipërisë, ndërsa këtë vit na vjen keq që nuk ecëm më shumë. Jemi të përqendruar te kampionati, ku do bëjmë çmos të qëndrojmë në Superiore”, – përfundoi Egbo.

Cikalleshi ua merr dorën ballshiotëve
Sokol Cikalleshi i ka shënuar tre gola në dy ndeshje skuadrës së Bylisit në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Sulmuesi realizoi dje golin e parë në fitoren 2-1. Pas ndeshjes, Cikalleshi u shpreh: “Më vjen mirë që shënoj në dy ndeshje radhazi në Kukës, ndonëse më shumë më gëzon fakti që u kualifikuam. Përmbysja e rezultatit është tregues i një ekipi me besim në vetvete. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Laçin. Rruga drejt fitimit të kupës është e hapur”, – deklaroi sulmuesi. Cikalleshi ishte një prej futbollistëve më të mirë për ekipin e tij në sfidën ndaj Bylisit.

Hysa: Nuk dorëzohemi deri në fund
Vilfor Hysa ishte ai që shënoi golin e dytë në ndeshjen e djeshme ndaj Bylisit, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij, Kukësit. Pas takimit, sulmuesi u shpreh: “Ishte një gol që erdhi nga mundi i të gjithë ekipit dhe konkretisht i Ylli Shametit. Ishte fundi i lojës, për rrjedhojë fitorja që vjen në sekondat e fundit të mban nën tension gjatë gjithë lojës. Por, është shpërblim për djersën që kemi derdhur në fushë gjatë 90 minutave dhe për atë që ekipi nuk dorëzohet derisa të bjerë bilbili”, – përfundoi Hysa. Sulmuesi, së bashku me Cikalleshin, janë kuptuar shumë mirë me njëri-tjetrin në sfidën e djeshme dhe të dy kanë arritur të shënojnë nga një gol.

Shkëlqejnë Hallaçi dhe sulmuesit
Për Kukësin, Hallaçi dhe Cikalleshi ishin në një ditë të mirë. I pari, me thyerjen e aksioneve të kundërshtarit dhe ndërtimin e aksioneve për ekipin e tij dhe i dyti, për lëvizshmërinë dhe hapësirat që i dha lojës duke shënuar edhe gol. Madje, kavajasi shpesh u pa në dyluftime edhe me bashkëqytetarin e tij, Kuli, edhe ky një kapiten që i priu skuadrës gjatë gjithë lojës. Pa dyshim që edhe Idrizaj meriton vlerësime maksimale. Ndërkaq, më pak aktivët për Kukësin ishin sulmuesi Pierr Boja, i cili nuk ishte si në ndeshjen e kampionatit ndaj Flamurtarit. Madje, ai edhe për shkak të dëmtimit, u zëvendësua që në pjesën e parë dhe nuk u pa ndonjë fragment për t’u mbajtur mend.

Dëmtohet Boja, mungon Izuçuku
Gjatë ndeshjes së djeshme, për skuadrën e Kukësit është dëmtuar Boja. Futbollisti ka pësuar një dëmtim në minutën e 35-të të pjesës së parë dhe në këtë mënyrë është zëvendësuar. Por, mësohet se për të nuk ka ndonjë gjë serioze. Nga ana tjetër, sulmuesi Izuçuku ka munguar pasi nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë. Që në fillim të javës, afrikani nuk po ndihej mirë dhe në këtë mënyrë nuk ka qenë i gatshëm për ndeshjen e djeshme ndaj Bylisit. Kukësi arriti të kualifikohej dje në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"