Përmbysje e çmendur, Ndikumana… 99-ësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2014 | 22:51

Përmbysje e çmendur, Ndikumana… 99-ësh

TiranaELBASANI-TIRANA  2-3
GOLAT: Bylykbashi 18′, 21′ (11-m) / Muça 27′, Bakaj 31′, Ndikumana 99′
ELBASANI: Kotorri, Vogli, Pisha, Basriu, Musta, Agboi, Gava (Hila 62′); Toçi, Bylykbashi, Malindi (Tahirllari 85′), Çota (Lamçja 80′); (në dispozicion: Ruçi, Dosti, Jaupi, Dalipi). Trajner: Muharrem Dosti.
TIRANA: Frashëri, Kërçiku (Ndikumana 46′), Pashaj, Curri, Kalari, Taku, Muça, Malaj (Olaki 56′), Bakaj, Morina, Bushiç (Kagere 81′); (në dispozicion: Ed.Bakaj, Llagami, Idrizaj, Gavazaj). Trajner: Gugash Magani.
KARTONË TË VERDHË: Toçi 25′, Hila 96’/ Kërçiku 22′, Bakaj 87′, Frashëri 96′, Ndikumana 100′
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë) DELEGAT: Denis Bastari (Tiranë)
GJYQTARET: A.Koçi, F.Lama, E.Velo (Durrës)

MINUTAT
3′ Kalari merr përsipër një goditje dënimi në afërsi të zonës, godet rrezikshëm, por pa rezultat.
6′ Malindi fut një top në zonë për Çotën, por në momentin e fundit largon mbrojtja mike, që neutralizon një aksion të rrezikshëm, pasi ish-sulmuesi bardheblu dilte i vetëm me Frashërin.
12′ Taku godet në zonë, pas një krosimi nga e majta, por topi kalon ngjitur me shtyllën e mbrojtur nga Kotorri.
15′ Bushiç godet në kufijtë e një 11-metërshi në ecje, por topi i tij grushtohet nga Kotorri dhe më pas shkon në goditje këndi.
18′ Bylykbashi merr një top me “dhunë” në zonën mike dhe, pasi ia del, ecën drejt portës së Frashërit e godet diagonal duke e dërguar topin në rrjetë 1-0.
21′ Kërçiku pengon në zonë Malindin dhe për kryesorin ka 11- metërsh. Godet Bylykbashi dhe shënon 2-0.
27′ Goditje dënimi për Tiranën, Bakaj kroson saktë drejt zonës, Muça gjuan me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë, 2-1.
29′ Elbasani zbret rrezikshëm, rrëmujë në zonë dhe topi goditet nga Mirel Çota, por shumë larg kuadratit të Frashërit.
31′ Bakaj fiton goditje dënimi në kufijtë e zonës. Ekzekuton mrekullisht, duke e dërguar topin drejt e në trekëndëshin e portës së Kotorrit.
33′ Tirana organizon një aksion të qetë, Morina pason për Takun, i cili godet fluturimthi, por topi përfundon jashtë kuadratit.
38′ Dorian Bylykbashi ekzekuton mrekullisht një goditje dënimi, ndërkohë që në të njëjtën mënyrë ka qenë edhe përgjigjja e gardianit bardheblu, që fluturon drejt trekëndëshit për të devijuar topin.
49′ Ndikumana shpërthen në të majtë, kroson për Bushiç, i cili provon me kokë, por nuk gjen kuadratin.
58′ Bakaj kalon lehtësisht në të majtë, driblon dy futbollistë, futet në zonë dhe godet diagonalisht, por topi ndalet vetëm në shtyllën e majtë të Kotorrit.
83′ Bakaj kombinohet me Takun, mesfushori gjuan nga distanca, por topi përfundon mbi traun e portës.
90′ Pashaji kroson në qendër, aty ku ndodhej Olaki, sulmuesi gjuan, topi përfundon vetëm jashtë.
97′ Lamçe godet me kokë pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, por devijimi i tij nuk është i saktë.
99′ Ndikumana merr një pasim të shkurtër në hyrje të zonës dhe me të majtën dërgon drejt e në trekëndësh një top që i jep fitoren Tiranës.

Tirana fiton mes drithërimave në “Elbasan Arena”. Kryeqytetasit përmbysin në limit verdheblutë, falë një goli të shënuar në të 99-ën minutë nga Selemani Ndikumana. Një ndeshje që dhuroi gjithçka, gjatë të cilës, përveç eurogolave dhe spektaklit në fushë, në shkallët e stadiumit pati incidente mes dy tifozërive dhe shkulje stolash. E gjithë kjo u shoqërua edhe me 8 minuta ndërprerje të lojës, deri në qetësimin e situatës. Verdheblutë befasuan duke kaluar të parët në avantazh falë një dopiete të realizuar nga Bylykbashi, por bardheblutë arritën që ta kthenin gjithçka në favorin e tyre falë golave të Muçës, Bakajt dhe Ndikumanës. Një trepikësh i artë për Tiranën, që e mban sërish në krye.
Pjesa e parë Loja nis e shpejtë dhe me Tiranën që jep sinjalin e parë në portën mike. Në të 3-ën Kalari merr përsipër një goditje dënimi në afërsi të zonës, godet rrezikshëm, por pa rezultat. Kundërpërgjigjet Elbasani pas 3 minutash, teksa Malindi fut një top në zonë për Çotën, por në momentin e fundit largon mbrojtja mike, e cila neutralizon një aksion të rrezikshëm. Taku në të 12- ën godet në zonë, pas një krosimi nga e majta, por topi kalon ngjitur me shtyllën e mbrojtur nga Kotorri. Momenti i mirë ishte ai i të 15-ës, kur Bushiç godet në kufijtë e një 11-metërshi në ecje, por topi i tij grushtohet nga Kotorri dhe ka vetëm goditje këndi. Mirëpo, atë që s’e bëjnë miqtë, e realizojnë vendësit në të 18-ën. Bylykbashi merr një top me “dhunë” në zonën mike dhe pasi ia del, ecën drejt portës së Frashërit dhe godet diagonal, duke e dërguar topin në rrjetë 1-0. Pas vetëm 3 minutash Kërçiku pengon në zonë Malindin dhe për kryesorin ka 11- metërsh. Godet Bylykbashi dhe 2-0, një gol që çon në delir verdheblutë dhe shokon miqtë. Megjithatë ekipi i Maganit nuk dorëzohet dhe në të 27-ën ngushtohen shifrat. Ka goditje dënimi, Bakaj kroson saktë drejt zonës, Muça gjuan me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë, 2-1. Verdheblutë shfaqen të etur për pikë dhe këtë e dëshmojnë në të 29-ën teksa zbresin rrezikshëm, ka rrëmujë në zonë dhe topi goditet nga Çota, por shumë larg kuadratit të Frashërit. Megjithatë në të 31-ën Bakaj bën mrekullinë, teksa ekzekuton një goditje dënimi dhe e dërgon topin drejt e në trekëndëshin e portës dhe 2-2. Ky gol qetëson bardheblutë, të cilëve shpresat për një përmbysje sa vijnë dhe u shtohen. Në të 33- ën Morina pason për Takun, i cili godet fluturimthi, por topi përfundon jashtë kuadratit. Mirëpo ka “panik” në portën mike në të 38-ën, Bylykbashi ekzekuton mrekullisht një goditje dënimi, por në të njëjtën mënyrë kundërpërgjigjet Frashëri duke e larguar në trekëndësh topin. Mbyllet këtu ky fraksion.
Pjesa e dytë Tirana e nis me ndryshime këtë pjesë, teksa Magani nxjerr Kërçikun dhe shton forcat në sulm, me aktivizimin e Ndikumanës. Ky fundit në të 49-ën shpërthen në të majtë, kroson për Bushiç, i cili provon me kokë, por nuk gjen kuadratin. Bakaj dëshmon që është në superformë, teksa në të 58-ën kalon lehtësisht në të majtë, driblon dy futbollistë, futet në zonë dhe godet diagonalisht, por topi ndalet vetëm nga shtylla. Ka minuta pauze prej incidenteve të tifozëve dhe në të 80-ën rinis loja. Fill pas 3 minutash, Bakaj kombinohet me Takun, mesfushori gjuan nga distanca, por topi përfundon mbi traun e portës. Bardheblutë shtojnë presionin, teksa në të 90-ën Pashaji kroson në qendër, aty ku ndodhej Olaki, i cili nuk kishte shumë që ishte futur në fushë, gjuan, por topi përfundon jashtë. Lamçja rrezikon në të 97-ën, teksa godet me kokë pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, por nuk gjen kuadratin. Kur po afrohej fundi i 4 minutave shtesë, në të 99-ën Ndikumana merr një pasim të shkurtër në hyrje të zonës dhe me të majtën dërgon drejt e në trekëndësh një top që i jep fitoren Tiranës. Sekondat e mbetura nuk shoqërohen më me surpriza dhe festa është e gjitha për bardheblutë.

MË AKTIVI
Elis Bakaj dëshmon edhe një herë që është në superformë. Fantazisti ka qenë pa dyshim lojtari më i mirë në fushë, teksa jo vetëm shënoi, por dha edhe asistin e golit të parë. Ai ishte pa diskutim një rrezik konstant për portën e mbrojtur nga Kotorri. Notë pozitive meriton edhe Dorian Bylykbashi, i cili gjatë pjesës së parë arriti që t’i kalonte në avantazh verdheblutë.

MË PAK AKTIVI
Jurgen Vogli nuk ishte në ditën e tij të mirë. Qendërmbrojtësi për minuta të tëra la hapësira në zonë, duke u dhënë më shumë lirshmëri në lëvizje bardhebluve. Sakaq, edhe Dorian Kërçiku ishte larg pritshmërive në ndeshjen e djeshme. Mbrojtësi i djathtë i Tiranës gaboi në minutën e 21-të, kur u akordua edhe penalltia. Ndërhyrja e gabuar e tij solli golin e dytë.
VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"