Përjashtimi i Shkumbinit nga Disiplina, reagon presidenti Tosku: Do apelojmë, shkojmë edhe në UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2019 | 17:08

Përjashtimi i Shkumbinit nga Disiplina, reagon presidenti Tosku: Do apelojmë, shkojmë edhe në UEFA

Kryebashkiaku i Peqinit, Lorenc Tosku, njëkohësisht president i Shkumbinit, ka reaguar sapo është njohur me vendimin e Disiplinës për përjashtimin dhe zbritjen një kategori më poshtë të ekipit. Mjaft i indinjuar ai ka theksuar për “Panorama Sport” se vendimi është absurd dhe ekstrem, ndaj dhe do të apelohet.

Tosku4

Presidenti Tosku ka pohuar gjithashtu se e drejta do të kërkohet deri në institucionet europiane sportive. “Duke marrë shkas nga vendimi i Disiplinës për ngjarjen e ndodhur në Peqin pas përfundimit të ndeshjes me Dinamon, ku u tentua të goditej gjyqtari Sokol Bebja, në cilësinë e kryebashkiakut të Peqinit, e cilësoj vendimin absurd dhe të pabazuar në legjislacionin përkatës.

Së pari duhet të sqaroj se si klub jemi kundër akteve të dhunës që cenojnë mbarëvajtjen e një ndeshjeje, mirëpo ajo që ka ndodhur në Peqin është krejt diçka tjetër. Nuk mund të cilësohet si cenim i mbarëvajtjes së kësaj sfide. Gjatë gjithë lojës, pavarësisht padrejtësive arbitrare ndaj ekipit tonë, gjyqtarët për asnjë moment nuk janë cenuar apo të jetë cenuar mbarëvajtja e ndeshjes.

Tosku Shkumbini

Të dyja ekipet janë ndarë shumë miqësisht dhe në mënyrën më korrekte të mundshme. Pas ndeshjes, veprimi i një të riu të irrituar që tentoi të godiste arbitrin dhe që u izolua në kohë, nuk mund të merret si fakt për të dënuar një skuadër apo aq më keq një qytet të tërë. Flas në emër të gjithë sportdashësve korrektë peqinas që mbështesin skuadrën në mënyrën e duhur dhe Komisioni i Disiplinës që ka marrë këtë vendim absurd, nuk mund të penalizojë një qytet të tërë për shkak të veprimit të një adoleshenti, që siç e thashë, është neutralizuar në kohë.

Presidenti i Shkumbinit5

Gjyqtarët apo zyrtarët janë larguar nga stadiumi pa asnjë problem. Më vjen keq që në ditët e sotme, ku gjithkush është i aftë të bëjë një shpjegim të thjeshtë të legjislacionit sportiv në fuqi, nuk mund kurrsesi që vendimin e marrë të mos e bazojë në atë që është e shkruar “e zeza në të bardhë” mbi mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli. Sigurisht, do të apelojmë dhe do të kërkojmë që ndaj nesh të zbatohet vetëm rregullorja e sqaruar përpikërisht ashtu siç është në kodin sportiv. Nëse nuk vendoset drejtësia që ne kërkojmë, do t’u drejtohemi instancave europiane të futbollit, UEFA-s”, ka thënë kryebashkiaku dhe presidenti i Shkumbinit, Tosku.

Fatmir Ahmeti – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"