Përjashtim dhe gjobë, Dramolli: Te Pogradeci po hedhin baltë, më kishte përfunduar kontrata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 20:41

Përjashtim dhe gjobë, Dramolli: Te Pogradeci po hedhin baltë, më kishte përfunduar kontrata

Pogradeci përjashton dhe gjobit Kostan din Dramollin. Pas një mbledhjeje të zhvilluar nga bordi drejtues, dje është vendosur që lojtari të mos jetë më pjesë e liqenorëve dhe t’i mbahet gjysma e rrogës së muajit. Në klub nuk i kanë përtypur dot deklaratat e vazhdueshme të portierit, ndaj edhe kanë dalë në këtë konkluzion.pogradeci

KONFIRMIMI I ABAZAJT

Është Ardian Abazaj që konfirmon masën e marrë ndaj portierit trashmë të larguar. “Kostandin Dramolli nuk do të jetë më pjesë e jona. Ky është vendimi që ka marrë bordi drejtues. Njëkohësisht do të ketë një masë financiare, siç e parashikon edhe kontrata kur ka shkelje të këtij tipi. Shuma do të jetë sa gjysma e pagës së tij mujore.

Kjo vjen për arsye se portieri ka bërë deklarime të pavërteta, duke hedhur diçka që s’ka baza në faqen e tij në rrjetet sociale. Dua të theksoj se Dramolli kishte disa muaj që nuk ishte atje ku pritej, si në aspektin sportiv ashtu edhe në drejtim të zhvillimit të procesit stërvitor. Dukej qartë se i dukej vetja i pazëvendësueshëm, por në futboll nuk ka të tillë. Kur unë mora vendimin që ta ul në stol në pjesën e dytë, duke e parë paraqitjen dhe gjendjen e tij, ai ka reaguar në mënyrë të pabesueshme. Gjithsesi, i uroj një të ardhme të mirë sportive”, u shpreh trajneri për gazetën.pogradeci

REAGIMI I DRAMOLLIT

Pasi mësoi vendimin për përjashtimin, Kostandin Dramolli ka reaguar ashpër për “Panorama Sport”. Ai thekson se në klub po mundohen të justifikohen, pasi kontrata i ka mbaruar me kohë. “Së pari, dua të them se mua më ka përfunduar kontrata e bashkëpunimit me këtë klub që më datë 26 maj dhe po vazhdoja të luaja duke dhënë më të mirën nga vetja ime. Nuk habitem me vendimin, pasi kam deklaruar që në pushim të ndeshjes se do të largohem. Kjo ishte zgjidhja ime. Sa për masën financiare do ta diskutoj kur të më jepet edhe vendimi zyrtarisht. Unë i siguroj sportdashësit pogradecarë që për ta kam shumë respekt, si edhe të gjithë futbollistët.

Kam luajtur me mish e me shpirt për atë fanellë. Nuk e përjashtoj faktin se mund të kem pësuar gola që nuk duhet t’i pësoja, por kjo është loja. Askush nuk mund ta mohojë se kam qenë vendimtar në shumë fitore. Tani ata po mundohen të mbulojnë m… me sh…. Jo po kështu e jo po ashtu, jo e lagu e jo s’e lagu, jo po marr famë e jo s’po marr famë. Nuk dinë çfarë të nxjerrin më. Ta dini që s’kam nevojë fare të marr famë nga rrjetet sociale. Nëse bëhet fjalë për këtë, unë akoma s’kam veshur këpucët. Por më duhet të punoj fort dhe famën e vërtetë kam për ta marrë vetëm në fushë dhe jo jashtë saj. Ju hodhët baltë drejt meje edhe s’bëtë mirë. Dhe që ta dinim ishit totalisht ne gabim. Ky është reagimi im i fundit”, deklaronte portieri.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"