Perja, Krasniqit: Besa të bëri futbollist, do t’i dhuroj një kasetë si luajtën regbi ndaj nesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 23:13

Perja, Krasniqit: Besa të bëri futbollist, do t’i dhuroj një kasetë si luajtën regbi ndaj nesh

Pragndeshja mes Besës dhe Egnatias, që është ballafaqimi i tretë mes dy skuadrave në këtë sezon në Grupin B të Kategorisë së Parë, ka nisur me “thumbime”. I pari që e hapi stafetën ishte pikërisht një futbollist kavajas, por që këtë sezon mbron ngjyrat e fqinjëve nga Rrogozhina, Gëzim Krasniqi. Por, e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja nga kampi verdhezi.

EGNATIA BESA

“Vjen një moment që shumë lojtarë harrojnë se kush ua mësoi abc-në e futbollit”. Kështu e nis prononcimin e tij mbrojtësi kavajas Skerdian Perja, që përtej viteve që luan te Besa, po kalon një moment mjaft të mirë. Perja ka luajtur me shumë breza futbollistësh e krahas tyre dhe me Gëzim Krasniqin e Alket Çelhakën, dy kavajasit që sot luajnë për Egnatian. Si miq të mirë, Perja i përgjigjet Krasniqit lidhur me “thumbimin” në adresë të Bizhdilit. Sipas Perjes, ai i pari dhe mjaft shokë të tij i detyrohen shumë Bizhdilit për mënyrën se si ai i ka trajtuar dhe i trajton futbollistët gjatë karrierës së tyre.

“Shoku im, patrioti im Gëzim! Besa të bëri futbollist ashtu si dhe mua dhe kjo mjafton për t’i thënë të gjitha. Sa për Bizhdilin, ai e ka parë Besën e tij në Europë, fituese të Kupës së Shqipërisë e mjaft momente historike. Ndaj, ai do të vijë të shohë ndeshjen tonë, pavarësisht se do dëshironte ta shihte Besën kundër Teutës, Partizanit, aty ku vërtet ka luajtur për dekada edhe me ty në fushë. Së fundi, do të të dhuroj një kasetë se si luajtët regbi në zonë ndaj nesh në ndeshjen e fundit dhe fat që mesfushori ynë mbeti gjallë”, u shpreh fillimisht Perja për “Panorama Sport”.

Verdhezinjtë kanë vijuar edhe dje seancën stërvitore në funksion të takimit me Egnatian. Për Perjen, objektiv i vetëm mbetet fitorja dhe për këtë grupi është përgatitur psikologjikisht. “Dihet që Egnatia këtë sezon ka bërë vërtet një ekip për t’u vlerësuar. Janë me meritë në krye, por s’duhet ta harrojnë se përballë është Besa që me ngjyrat e fanellës tremb këdo. Nuk dua të flas më shumë, preferoj t’ia lë fushës gjithçka. Vetëm se, ashtu si Tafili, të gjithë ne kërkojmë që në këtë duel, FSHF të sjellë gjyqtarin më të mirë dhe pas ndeshjes flasim me këdo se cila është Besa dhe sa meriton”, përfundoi mbrojtësi Skerdian Perja.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"