Përgatitjet për sfidën në Ligën e Konferencës/ Laçi gjen kundërshtar në miqësore, luan ndaj skuadrës së Superligës së Kosovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2022 | 10:44

Përgatitjet për sfidën në Ligën e Konferencës/ Laçi gjen kundërshtar në miqësore, luan ndaj skuadrës së Superligës së Kosovës

Laçi i ka spostuar përgatitjet për turin e parë të Ligës së Konferencës ndaj malazezëve të Iskras në qytetin e Pogradecit.

LACI

Me këtë lëvizje kanë ardhur edhe përfitimet e para, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro është afruar me disa ekipe që përgatiten në Ohër, ndaj shtohen mundësitë për të zhvilluar ndeshje miqësore.

Ka qenë klubi kosovar i Llapit që gjatë ditë së djeshme ka zbuluar një nga testet verore të Laçit.

Më datën 28 qershor është parashikuar një ndeshje miqësore mes dy ekipeve që marrin pjesë në turin e parë të Ligës së Konferencës, takim i cili thuhet se do të luhet në orën 18:00, por pa u përcaktuar vendi ku do të luhet.

Gjasat janë që ky takim të zhvillohet në stadiumin e Pogradecit, pasi kurbinasit e kanë disi më të vështirë për të hyrë me grup të plotë në shtetin maqedonas, pasi lojtarët afrikanë duhet të pajisen me vizë, ndërkohë që lojtarët e Llapit e kanë kryer këtë procedurë.

Gjithsesi, në vijim do të mësohet më saktë edhe axhenda e kësaj miqësoreje, që shpresohet të mos jetë e vetmja për kurbinasit.

Laçi ka bërë vetëm një afrim në merkato, ndërsa kundërshtari malazez ka qenë shumë aktiv në këtë periudhë, ku largimet e shumta i ka zëvendësuar dhe grupi shikohet i plotë për dy sfidat me kurbinasit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"