Përgatitjet anti-Flamurtari, Cungu ka dilema për mesfushën e shkodranëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2017 | 18:41

Përgatitjet anti-Flamurtari, Cungu ka dilema për mesfushën e shkodranëve

Te Vllaznia kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e së enjtes me Flamurtarin, e cila po afron dhe tashmë në kampin shkodran po i japin dorën e fundit përgatitjeve për të. Ditën e djeshme, ekipi ka zhvilluar dy seanca stërvitore, ndërsa nga sot trajneri Cungu do të punojë kryesisht në drejtimin taktik për ndërtimin e mënyrës së lojës dhe vendosjen e skuadrës në fushë.

cungu

Është një sfidë, e cila duhet fituar me çdo kusht, në të kundërt, pozitat për Vllazninë në renditje do të rëndoheshin edhe më shumë. Por padyshim, që nuk do të jetë e lehtë sepse vlonjatët po bëjnë një paraqitje shumë të mirë në këtë kampionat.

DILEMAT

Trajneri Cungu ka disa dilema për ndërtimin e formacionit për këtë ndeshje. Dilemat kryesisht ekzistojnë për aktivizimin apo jo të Vucajt nga minuta e parë në mesfushë. Por, gjithashtu, trajneri nuk është i bindur se kush mund ta zëvendësojë atë në rast mungese në krahun e majtë të mesfushës.

Ai i ka provuar të tre lojtarët deri më tani në këtë pozicion, si Krujën, ashtu edhe Çinarin dhe Kalajën, por asnjëri prej tyre nuk ka bindur plotësisht dhe për rrjedhojë ka patur rotacion. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ka qenë stabël në formacion dhe kështu pritet të jetë edhe për sfidën e radhës.

vllaznia formacioni

Duke filluar nga portieri Selimaj, që pavarësisht gabimit në Laç pritet të jetë përsëri titullar, e për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Gocaj, Pjeshka, Orelesi e Marku. Në mesfushë, ndërkohë të sigurt duken Krymi, Hasani e Lika e po ashtu edhe në sulm Ribaj.

Kuqeblutë patjetër që e kanë marrë shumë seriozisht sfidën me vlonjatët, të cilët janë paraqitur mirë në këto javë të para të kampionatit, por gjithsesi ndaj tyre duhet patjetër fitorja dhe ata që do të jenë në fushë duhet të japin maksimumin për t’ia arritur kësaj. Vllaznia ka pasur luhatje në këto javë të para të kampionatit në rezultatet që ka siguruar.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"