“Përforcohet” Pogradeci, mesfushori mbyll dënimin pas 8 ndeshjesh: I etur për futboll, kthehemi te pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 19:41

“Përforcohet” Pogradeci, mesfushori mbyll dënimin pas 8 ndeshjesh: I etur për futboll, kthehemi te pikët

Pogradeci përforcohet para Egnatias. Në ekip është rikthyer një nga pikat e forta të mesfushës, i cili ka vuajtur një dënim prej 8 ndeshjesh nga sezoni i kaluar (konkretisht pas ndeshjes Pogradeci-Apolonia 0-1, më 20 qershor 2020). Bëhet fjalë për mesfushorin Jurgersi Liçkollari, i cili pritet që të jetë pjesë e 11- shes këtë të shtunë. Është ai vetë që jep lajmin e mirë, ndërsa për “Panorama Sport” e thotë hapur se ndien emocione.

Lickollari

“Më ka munguar shumë fusha dhe ekipi, pavarësisht se kam luajtur në çdo miqësore. Gara zyrtare është krejt tjetër. Kam shumë emocione, gjithsesi jam rikthyer me shumë besim, gjë që ma garanton grupi i pogradecarëve”, u shpreh fillimisht mesfushori. Liqenorët kanë pësuar një humbje javën e kaluar, e megjithatë 22- vjeçari paralajmëron kthesën.

“Në këtë moment ekipit i mungojnë pikët, ndaj sa më shpejt duhet t’i rikuperojmë ato që kemi lënë pas. Me Egnatian do të jetë një përballje interesante, pasi edhe kundërshtari po kalon një formë të mirë dhe ka pretendime të dukshme. Duhet të përpiqemi shumë në fushë për të arritur te fitorja. Jemi gati për këtë dhe jo vetëm në këtë sfidë”, përfundoi Liçkollari. Me rikthimin e tij, Ardian Abazaj ka filluar të ndryshojë ofensivën. Me dy sulmues të deklaruar dhe me dy pika të forta në mesfushë si Liçkollari dhe Shkullaku, besohet se pogradecarët do të arrijnë te tri pikët e para në këtë kampionat.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"