“Përballje më e vështirë se me Apoloninë”, kapiteni Sefa: Nostalgji për Besën, tani fitoj me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2019 | 14:41

“Përballje më e vështirë se me Apoloninë”, kapiteni Sefa: Nostalgji për Besën, tani fitoj me Lushnjën

Në stadiumin “Roza Haxhiu” do të luhet sot ndeshja hapëse e javës së tretë të kampionatit midis Lushnjës dhe Besës. Një ndeshje që nis dy orë para të tjerave.

lushnja

Verdhejeshilët u kanë dhënë dje fund përgatitjeve dhe duken të qetë para kësaj sfide të rëndësishme. Lushnja është skuadra e vetme me pikë të plota në të dyja grupet dhe kërkon “trehapëshin” në këtë fillim të kampionatit. Fitorja në derbin me Apoloninë dhe ardhja e Besës e kanë ndezur edhe më shumë atmosferën e tifozëve verdhejeshilë. Takimi i sotëm pritet të ndiqet nga rreth 1500 shikues.

DEKLARATA – Kapiteni Fatjon Sefa është lojtari më me përvojë te skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla. Futbollisti me shiritin në krah kërkon të vazhdojë seria e fitoreve dhe mendon ta çojë Lushnjën sa më lart. Më parë ai ka mbajtur veshur edhe fanellën e Besës dhe ka lënë gjurmë me të. “Si kapiten, i jam gëzuar shumë fitores së fundit me Apoloninë. Ishin tri pikë të merituara, pasi ishte Lushnja që bëri më mirë para portës.

sEFA2

Futbolli të mban gjithnjë të karikuar dhe pak kohë ka për të festuar. Kemi zhvilluar një javë të mirë përgatitore në kuadrin e ndeshjes me Besën, dueli i radhës me pretendentin tjetër të grupit. Një ndeshje edhe më e vështirë, për mendimin tim. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të bashkuar për të vazhduar serinë e fitoreve. Besa është një ekip me traditë dhe është një përballje tradicionale. Personalisht, kam shumë nostalgji për periudhën që kam qenë te Besa, por kjo i përket së shkuarës tashmë. Tani mendoj vetëm për Lushnjën time, që ta çoj atë sa më lart të jetë e mundur.

Gjej rastin që të ftoj edhe tifozët të jenë sa më të shumtë në numër në stadium. Me një përkrahje të madhe, të gjithë bashkë mund do t’ia dalim për të arritur fitoren e tretë radhazi”, është shprehur kapiteni i lushnjarëve, Fatjon Sefa. Trajneri Ilir Gjyla do të luajë edhe këtë radhë me formacionin tip.

Nuk ka arsye të ndryshojë, pasi deri tani gjithçka ka funksionuar mirë në të gjitha repartet. Shpresat e lushnjarëve sigurisht janë te dyshja sulmuese Sefa-Canka. Të dy kanë shënuar në ndeshjet e para të kampionatit, madje Canka realizoi edhe dopietë në derbin me Apoloninë javën e kaluar.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"