Përballja Tërbuni-Vora/ Hysa: Do të zhbllokohemi; Çani: Për trepikëshin në Pukë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 14:03

Përballja Tërbuni-Vora/ Hysa: Do të zhbllokohemi; Çani: Për trepikëshin në Pukë

Tërbuni është gati që të presë Vorën. Pas dy barazimeve “të thata”, kërkojnë të parën fitore. Luajnë në “Ismail Xhemali” dhe suksesi është domosdoshmëri. Vilfor Hysa beson se kthesa do të vijë, ndërsa për gazetën tha:

Terbuni-Vora

“Duhet të tregohemi të kujdesshëm. Vora ka bërë disa blerje cilësore dhe në Pukë do të vijë për pikë. Kundërshtari do të ketë të njëjtin synim me ne, por jemi të vendosur të mos i lëmë hapësirë. Presim stadium të tejmbushur, ndaj ftoj tifozët të na mbështetshim. Brohorimat e tyre do të na motivojnë dhe nëse kjo ndodhë, nuk do i zhgënjejmë. Golat e munguar? Do të zhbllokohemi. Në ekip ka lojtarë të rinj, që dinë ta gjejnë rrugën e rrjetës. Kemi Kekon dhe Filipin, që do të çlirohen dhe kanë punuar fort”. DITMIR PEMA

Vora, pasi ka marrë fitoren e parë në kampionat ndaj Maliqit debutues dhe ka mundur Korabin për llogari të Kupës, tashmë kërkon vazhdimësi. Udhëtojnë drejt Pukës, atje ku do të ndeshen me vendësit e Tërbunit. Do të jetë një transfertë e vështirë ajo në “Ismail Xhemali”.

Stafi teknik pas disa provave që ka bërë në mesjavë, ka vendosur që në fushë të hedhë më të mirët. Jo më kot disa futbollistë pushuan ndaj dibranëve, pasi për Vorën është mjaft e rëndësishme ndeshja e kampionatit. Ndaj pukjanëve do të kërkojnë trepikëshin dhe i këtij mendimi është edhe vetë trajneri Gerald Çani, që për “Panorama Sport” thotë: “Është një ndeshje shumë e vështirë, por ne do shkojmë për tri pikë. Megjithatë, fusha do të tregojë se cili do të jetë ekipi më i mirë. Skuadrën e kemi përgatitur me moralin e fitores. Sigurisht që do të luajmë përballë një kundërshtari të vështirë në fushën e vet, por ne ia kemi bërë hyzmetin që të dalim me një rezultat pozitiv”. ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"