Përballja në Kupë, Naftëtari motivohet duke kujtuar dy kualifikime ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2017 | 14:18

Përballja në Kupë, Naftëtari motivohet duke kujtuar dy kualifikime ndaj Partizanit

Pas 30 viteve, kuçovarët përballen me Partizanin për Kupën e Shqipërisë. Edhe pse ndaj një ekipi të njohur, ashtu si në kampionat, përballjet me të kuqtë për Kupën e Shqipërisë janë pothuajse në ekuilibër të plotë, ku të ekipet kanë nga dy kualifikime karshi njëra-tjetrës.

Partizani-Naftetari-1-11

Partizani ka mposhtur Naftëtarin në edicionin e Kupës në vitin 1957, kur luhej me një takim me rezultatin 4-1, ndërsa kualifikimi i dytë për “demat” vjen në 1987-ën, kur dy ndeshjet përfunduan 5-1 për Partizanin dhe 1-1. Ndërsa Naftëtari triumfin e parë në Kupë ndaj të kuqve e ka në vitin 1978, kur dy ndeshjet u mbyllën 1-0 dhe 1-1, kurse suksesi i dytë i kuçovarëve u regjistrua në 1981-shin, kur dy sfidat u mbyllën 3-1 dhe 1-1.

Pa dyshim dy kualifikimet e Naftëtarit në atë periudhë kanë qenë të bujshme, pasi vinin ndaj një prej ekipeve më të mira të futbollit shqiptar. Momentalisht të dy ekipet janë në nivele të ndryshme. Për sa i përket edicionit të tanishëm të Kupës, Naftëtari është më inferior, por në kampin kuçovar do të kërkojnë sadopak të ringjallin traditën pozitive të dikurshme ndaj Partizanit.

KOROVESHI

Ish-futbollisti i njohur kuçovar, mbrojtësi i krahut të majtë, Mikel Koroveshi, aktualisht trajner në sistemin zinxhir të klubit, kujton me jo pak nostalgji përballjet e dikurshme ndaj Partizanit, si në Kupë dhe kampionat.

“Është një përballje që risjell emocione të mëdha përballë një ekipi të madh. Gjithsesi, jemi përballur vazhdimisht me dinjitet, si në kampionat, edhe për Kupën e Shqipërisë. Kujtoj që e kemi përballuar me sukses skuadrën e Partizanit, duke e eliminuar në edicione. Madje, në vitin 1978 ishte e njëjta situatë, ku ne u përballëm ndaj Partizanit, si skuadër e Kategorisë së Dytë (sot e Para).

Gjithsesi, ne arritëm të triumfonin, edhe pse përballë një ekipi tepër të kompletuar. Mendoj se, pavarësisht niveleve, janë të gjitha mundësitë për një rezultat pozitiv të skuadrës së Naftëtarit, të paktën në ndeshjen e parë që e luan në shtëpi. Asgjë nuk është e pamundur, ndaj skuadra duhet të ketë besim të plotë për një rezultat pozitiv.

Përballja ndaj një ekipi të fortë do të ketë ndikim pozitiv për skuadrën, jo vetëm për aktivitetin e Kupës, por dhe për ecurinë në kampionat, aty ku pa dyshim Naftëtari duhet të ketë objektivin kryesor”, u shpreh për “Panorama Sport” ishmbrojtësi i Naftëtarit, Mikel Koroveshi.

ARBEN ÇEPANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"