Përballja ndaj Flamurtarit, mbrojtja me tre bind trajnerin grek të Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 18:45

Përballja ndaj Flamurtarit, mbrojtja me tre bind trajnerin grek të Luftëtarit

Në dy javët e fundit ndaj Partizanit në transfertë dhe më pas kundër Teutës, Luftëtari ka bërë paraqitje pozitive, por gjithsesi ka marrë vetëm një pikë kundër durrsakëve. Ajo që ka rënë më tepër në sy, ka qenë rreshtimi me forca të shumta në mbrojtje. Luftëtari ka luajtur me variantin 3-5-2, por kur skuadra mbrohet, skema praktikisht bëhet 5-4-1. 

Teuta-Luftetari

Treshja e mbrojtjes me Lalën, Isufin dhe Kukajn ka gjetur stabilitet dhe paraqitje bindëse ndaj Teutës ka kënaqur trajnerin Jorgo Marantas. Ky i fundit pritet që edhe në transfertën ndaj Flamurtarit t’i besojë të njëjtës skemë, por me ndryshime vetëm në emra sa i përket mesfushës dhe sulmit.

Rikthimi i kapitenit Donald Rapo pas pezullimit për kartonë jep garanci në mesfushë, ndërsa i gatshëm për trajnerin do të jetë edhe sulmuesi Andi Renja, i cili nuk u aktivizua ndaj Teutës për shkak të problemeve fizike. Paraditja e djeshme për stafin teknik pati në fokus të saj përgatitjet atletiko-fizike në fushën e stadiumit.

jorgos marantas1

Për afro 45 minuta lojtarët morën ngarkesën e duhur, ndërsa në pasdite u zhvillua seanca e radhës në kompleksin “Fusha e Vjetër”, ku gjithçka u përqendrua te taktika. Në transfertë me vlonjatët vlen të theksohet se mungesa të sigurta janë Demo për shkak dëmtimi, si dhe Fili e Hilgen që vazhdojnë pezullimin.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"