Përballja ndaj Egnatias, Topllari: Pogradeci pa aleanca, s’presim që dikush të na bëjë dhurata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 9:36

Përballja ndaj Egnatias, Topllari: Pogradeci pa aleanca, s’presim që dikush të na bëjë dhurata

Liqenorët janë entuziastë në prag të ndeshjes me Egnatian që e luajnë në shtëpi. Në fazën e dytë, Pogradeci barazoi në transfertën dhe kjo i bën besimplotë se do të marrin trepikëshin këtë radhë. Këtë e konfirmon Edjon Topllari për “Panorama Sport”.

Topllari

“Në këtë takim hyjmë me të vetmin objektiv, marrjen e pikëve të plota. Ky është momenti përcaktues dhe ne nuk e lëmë këtë shans të na shkojë dëm. Në fazën e dytë barazuam, por besoj se do të fitojmë, edhe pse kemi përballë ekipin kryesues. Ne jemi me këmbë në tokë dhe e kemi të qartë se vendi i parë është i vështirë, por nuk do ta diskutojmë të dytin.

Për këtë jemi të përgatitur dhe gjithçka fillon nga kjo ndeshje. Do të jemi ekip sulmues dhe do të luajmë gjithçka për gjithçka. Pogradeci moralisht është shumë lart, pavarësisht asaj që ndodhi javën e kaluar. Kemi forcë që të ringrihemi, madje shumë fuqishëm”, tha Topllari.

ALEANCA – Pogradeci për momentin ka një shqetësim sa u përket të dëmtuarve. Liçkollari është konfirmuar si mungesë, por shqetëson Dragoi, një tjetër sulmues, që është në dyshim. Ndërkohë, Shkullaku ka ndier një shqetësim muskulor dhe stafi mjekësor po punon fort që ai të mos mungojë. Trajneri Ardian Abazaj pritet të aktivizojë disa të rinj, që kanë treguar se kanë vlera. Liqenorët kanë folur shpeshherë në lidhje me aleancat që vihen re në kampionat, por Topllari siguron:

“Nuk jemi aleat me asnjë. Luajmë vetëm me forcat tona. Nuk presim që dikush të na bëjë dhurata. Dhuratën vetes do t’ia bëjmë duke fituar në këtë ndeshje. Më pas do të jemi edhe më të qetë. Ne gjithçka e kemi mbështetur te puna jonë dhe realisht është një punë e madhe edhe te cilësia që zotërojmë si ekip”.

pogradeci-egnatia

Topllari duket që ka të drejtë, pasi është një ndeshje përcaktuese për vazhdimësinë, luftën për vendin e dytë. Liqenorët do të presin edhe Tomorin në fushën e tyre, por deri atëherë kanë një pengesë para, Egnatian e vendit të parë. Gjithsesi, pogradecarët besojnë se do ta kalojnë këtë kundërshtar.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"