Përballja ndaj Egnatias/ Longo dilema për formacionin, por e nis me Kukësin e verës. Ja si pritet të rreshtohen skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2021 | 8:15

Përballja ndaj Egnatias/ Longo dilema për formacionin, por e nis me Kukësin e verës. Ja si pritet të rreshtohen skuadra

Kukësi shpreson ta nisë me këmbën e mbarë kampionatin, ku të dielën kalendari i ka rezervuar duelin me të sapongjiturit në Superiore, Egnatian. Në kampin verilindor ndeshja është vlerësuar maksimalisht për vetë faktin se nuk duan të bëjnë hapa fals që në fillim.

Kukesi

Gjatë miqësoreve verore trajneri Longo ka marrë përgjigjet e duhura nga ekipi që ai drejton prej afro dy muajsh, ndaj pritet t’i besojë pak a shumë të njëjtëve titullarë që aktivizoi gjatë kësaj periudhe. Por, afrimet e fundit e kanë futur vërtet në dilemë italianin.

Mbetet për t’u parë forma e tyre dhe vetëm në seancën e sotme do të vendoset nëse do të luajnë nga minuta e parë sulmuesi Puntus dhe mesfushori Milunoviç, ndonëse shanset janë të pakta. Gjithsesi, përveç portës që do t’i besohet Tafas, të tjerët thuajse asnjë nuk e ka të sigurt vendin, kjo edhe për shkak se rolet janë pak a shumë të dubluara në të gjitha repartet. Por, dilemat më të mëdha duken në fazën ofensive.

DILEMAT – Gjatë kësaj periudhe Longo ka bërë disa spostime lojtarësh, sipas nevojave që skuadra kishte në disa reparte, sidomos në mbrojtje. Duket i sigurt fakti që dy nga mesfushorët do të vijojnë të luajnë si mbrojtës, të paktën për sfidën e parë ndaj Egnatias. Hila në qendër dhe Peposhi në të djathtë ishin gjetjet e italianit gjatë miqësoreve dhe që në fund i rezultuan të suksesshme.

Edhe pse organika u shtua në ditët e fundit të merkatos, duket se italiani në ndeshjen e parë do t’i përmbahet këtyre lojtarëve. Kjo, edhe për faktin se në mesin e fushës alternativat janë me “bollëk” dhe do të jetë një problem më vete aktivizimi i tyre. Sakaq, në prapavijë do të plotësojnë vendet edhe Ndreca në të majtë dhe Lulaj në qendër të saj.

EGNATIA KUKESI

Ndërkohë, kapiteni Gjelbrim Taipi dhe spanjolli De Lukas janë të sigurt për një vend titullari sepse shihen si dy lojtarë të pazëvendësueshëm për italianin, i cili beson shumë në aftësitë dhe eksperiencën e tyre. Në avantazh në krahasim me të tjerët për një vend titullari në mesin e fushës është Shqiprim Taipi. Feijao, Basha dhe Daci janë në avantazh për të qenë “tredhëmbëshi” në këtë ndeshje, ndonëse të tre “kërcënohen” nga Gashi, Kërniçi dhe Puntusi.

SEANCA E FUNDIT – Dilemat e Longos pritet të shuhen ditën e sotme në seancën e fundit stërvitore një ditë para sfidës me Egnatian, ku edhe do të ndajë përfundimisht titullarët që do hedhë në fushë. Për momentin nuk paraqiten probleme dëmtimesh në kampin verilindor, ndaj edhe italiani me shumë gjasa do ta ketë të gatshëm të gjithë grupin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"