Përballja ndaj durrsakëve, Ramadani: Me Teutën do të vijë kthesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2021 | 11:35

Përballja ndaj durrsakëve, Ramadani: Me Teutën do të vijë kthesa

Egnatia do të luajë ndeshjen e fundit për vitin 2021 ndaj Teutës në shtëpi dhe duke ditur rëndësinë e kësaj përballjeje, “Panorama Sport” ka intervistuar trajnerin Zekirija Ramadani, që është optimist dhe beson te kthesa e ekipit të tij.

ZEKERIJA RAMADANI

Kalendari ju vendos përballë Teutës, si e prisni ndeshjen e sotme?

Ashtu si çdo përballje, kjo ndaj Teutës mendoj se do jetë e vështirë. Ne jemi munduar që të punojmë me skuadrën më shumë në aspektin psikologjik. Edhe mungesa e rezultateve bën të vetën në tërësi. Mendoj se kemi arritur ngritje në mentalitetin e skuadrës. Çdo kundërshtar mendon vlerësim maksimal. I gjithë 90-minutëshi kërkon përqendrim dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Fusha është e barabartë për këdo.

Javët që keni drejtuar Egnatian kemi parë ndryshime në reparte, mendoni se këtë herë do të rezultojnë pozitive?

Unë si trajner e kisha si detyrë t’u jepja hapësirë të gjithë lojtarëve me radhë. Kemi parë gjëra të mira nga disa, por kemi parë dhe disa të tjerë që nuk janë në nivelin e duhur. Me Teutën nuk kemi vendosur se kush do të luajë nga minuta e parë, por do të mundohemi të nxjerrim 11 lojtarët më të gatshëm për momentin. Egnatia ka diçka të mirë, se nuk ka pak lojtarë dhe alternativat nuk mungojnë.

Me ardhjen tuaj skuadra prodhon lojë, por nuk arrin të shënojë, besoni se do t’ia dalë këtë herë?

Me thënë të drejtën, skuadra po prodhon lojë, por nga ana tjetër, ka mungesë të finalizimit konkret. Kjo na shqetëson më tepër, pasi duke qenë se nuk shënon, nuk mund të shpresosh në fitore bindëse. Të gjithë në fushë duhet të jemi këmbëngulës pa përjashtim. Sa më të thjeshtë përpara portës kundërshtare dhe gjithashtu të mos pësojmë aq kollaj si në përballjet e fundit. Jam besimplotë që me Teutën jo vetëm do të shënojmë, siç na takon, por dhe të mos pësojmë lehtë.

Jeni penalizuar nga dëmtimet, por rikthehen titullarë të tjerë. A është disi një sinjal pozitiv?

Është shumë e vërtetë që kemi shumë dëmtime. Në asnjë përballje grupi s’ka qenë i plotë deri tani. As këtë herë nuk do të jemi 100% të plotë siç duhet të jemi. Kemi plot katër mungesa të deklaruara, siç e dini. Do të japim maksimumin për një rezultat pozitiv.

Tifozët e Egnatias janë optimistë për ju, çfarë mund të deklaroni?

Nga ana ime mund t’iu them tifozëve që të kenë durim. E nga ana tjetër, më shumë besim në punën tonë të përgjithshme. Duke qenë se të gjithë së bashku po bëjmë mjaft punë këtë periudhë. Të dalim nga kjo zonë e rrezikshme që Egnatias nuk i shkon për shtat. Tifozëria ka të drejtën e vet, pasi na ka ndjekur kudo nga sa kam vërejtur.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"