Përballja ndaj Atletikos, Rudi Garsia: Finalja, si një çokollatë e zezë me 70% kakao…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2018 | 17:20

Përballja ndaj Atletikos, Rudi Garsia: Finalja, si një çokollatë e zezë me 70% kakao…

Konferenca për shtyp e trajnerit të Marsejës, Rudi Garsia, nis me një pyetje se si mund të largohet stresi përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme sa finalja me Atletikon: “Është një çokollatë e zezë, me 70% kakao. Atletiko është favorite pa dyshim. Është një ekip solid në mbrojtje dhe ka rekordin më të mirë në repartin e prapavijës në Spanjë.

Rudi Garsia

Por ata janë të rrezikshëm edhe në sulm. Kemi ngjashmëri me ta dhe i respektojmë. Janë një klub i shkëlqyer me shumë eksperiencë. Por ajo që është pozitive është fakti që kjo është vetëm një ndeshje. Dhe në një ndeshje gjithçka mund të ndodhë”. Trajneri francez di si ta motivojë skuadrën dhe historia është receta më e mirë në të tilla raste:

“25 vite më parë Marseja u bë klubi i parë francez që fitoi Champions-in dhe tani kemi një tjetër shans për t’u bërë klubi i parë francez që fiton Ligën e Europës. Por do të jetë shumë e vështirë”. Në lidhje me emrat e lojtarëve në dyshim, trajneri u dha tifozëve lajme të mira:

“Bouna Sarr është stërvitur gjatë dy ditëve të fundit dhe në stërvitjen e fundit do të shihni edhe Kostas Mitroglunë, Rolandon dhe Dimitri Pajenë”. Ndërsa në lidhje me portën, ai konfirmoi se Mandanda do të jetë numri 1, edhe pse ka humbur 8 nga 10 ndeshjet e fundit të skuadrës për shkak të dëmtimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"