Përballja me Teutën, flet Duro: Laçin e kënaq vetëm fitorja, durrsakët kanë mbrojtje të mirë, por probleme me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2021 | 10:22

Përballja me Teutën, flet Duro: Laçin e kënaq vetëm fitorja, durrsakët kanë mbrojtje të mirë, por probleme me…

Shpëtim Duro debutoi në krye të pankinës së Laçit në fazën e parë ndaj Teutës dhe tani e ka mbyllur ciklin e parë të njohjes me të gjithë kundërshtarët e nesër përballet sërish me durrsakët. Nga Teuta te Teuta, skuadra kurbinase ka ndryshuar shumë dhe mund të quhet tani Laçi i trajnerit Shpëtim Duro. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Duro pohoi se pas fitores së rëndësishme me Tiranën, Laçin e kënaq vetëm trepikëshi me Teutën. Ai e vlerëson kundërshtarin, të cilit ia njeh edhe pikat e forta dhe të dobëta, kështu që nuk ka dyshim se të besuarit e tij do t’ia dalin me sukses nesër në shtëpi ndaj Teutës.

Shpetim Duro

Laçi vjen pas një fitoreje të rëndësishme me Tiranën, por kalendarin e keni të vështirë, duke nisur nga ndeshja e sotme me Teutën…

Sigurisht që fitorja në transfertë me Tiranën është e rëndësishme për Laçin, ku pas dy gabimeve që kishim bërë më parë ka rritur edhe moralin e skuadrës. Çdo ndeshje ka historinë e saj dhe jemi duke u përgatitur për Teutën. Realisht, kalendari është i vështirë, si për ne, por edhe kundërshtarët tanë e kanë të vështirë me ne. S

hpresoni që në përfundim të kësaj jave të afroheni më shumë me kreun?

Ne shpresojmë, por si objektiv kemi që të fitojmë ndeshjen tonë. Pastaj të shikojmë se si zhvillohen edhe takimet e tjera.

Nën drejtimin tuaj Laçi e ka treguar veten ndaj pretendentëve, pasi problemet i keni pasur me skuadrat e zonës së poshtme. A e prisni të njëjtin ritual edhe ndaj durrsakëve?

Skuadra në përgjithësi ka treguar forcën dhe potencialin e saj në këtë periudhë. Ne e respektojmë Teutën pasi është në vendin e dytë dhe e kompletuar. Por, edhe Laçi ka grupin dhe ka treguar se si të sillet me këto lloj skuadrash. Shpresoj që në ndeshjen ndaj Teutës ekipi të japë maksimumin dhe të dalim me një rezultat pozitiv.

Në fillim të sezonit Laçi dhe Teuta u piketuan si pretendentët kryesorë për titull, nisur nga merkatot. Çfarë dueli presim nesër?

Jo vetëm Laçi dhe Teuta, por edhe skuadra të tjera si Partizani dhe Tirana kanë qenë në këtë temë. Vetëm Vllaznia nuk parashikohej para fillimit të sezonit. Ky është futbolli, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, ku nuk dalin parashikimet 100% si në letër. Megjithatë, e rëndësishme është që Laçi është në grupin e pretendentëve mes 3-4 skuadrave të para. Patjetër do të jetë një ndeshje e luftuar, por unë kam shumë besim te skuadra dhe cilësia që ka, ndaj presim më të mirën. Laci goli

Duke ditur kundërshtarin që keni përballë, a ju kënaq barazimi nesër?

Normalisht që nuk më kënaq barazimi. Patjetër që më kënaq vetëm fitorja, por në futboll janë tri rezultate, ku barazimi është më i mirë se humbja. Sigurisht, si trajner do të kërkoj fitoren nesër.

Cila është gjendja e skuadrës para takimit dhe sa ju ngroh rikthimi i Nuabuezes, që ishte titullar ndaj Tiranës?

Që kur kam marrë drejtimin e Laçit, kjo është skuadra më e plotë që kam pasur në këtë periudhë. Për Teutën përjashtim bën Marku, i cili është i pezulluar nga kartonët, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e plotë.

Durrsakët kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Sa jua vështirëson punën ky fakt dhe si mund t’i thyeni?

Teuta është një skuadër e ekuilibruar. Kanë mbrojtjen më të mirë, por sulmi, pavarësisht se ka lojtarë me emër, nuk ka qenë efektiv duke shënuar pak. Sigurisht që ka arsye favori, se është një skuadër e kompletuar. Të shikojmë se si do të sillen skuadrat në fushë.

Nga Teuta te Teuta, çfarë ka ndryshuar në ekip dhe a mund të themi tani se ky është Laçi i Shpëtim Duros?

Me Teutën debutova vetëm pas një seance stërvitore dhe arrita të merrja një pikë në Durrës. U bënë gati një muaj e gjysmë në drejtimin e Laçit dhe sigurisht që kanë ndryshuar gjërat, pasi pjesa më e madhe e skuadrës e di se çfarë kërkoj unë. Plus si karakter njihemi më mirë. Pra, tani e njohim shumë mirë njëritjetrin.

Besoni më shumë tek individi apo forca e grupit, duke iu referuar fitores me Tiranën që u zgjidh nga një lojtar cilësor si Mazrekaj?

Patjetër që Mazrekaj bën diferencën, por është në funksion të skuadrës, me pasimet dhe driblimet e tij. Pra, individi luan rol të rëndësishëm, por sigurisht kur është në funksion të skuadrës.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"